ARTIKULLI I STUDIMIT 18

KËNGA 1 Cilësitë e Jehovait

Ki besim te Gjykatësi i mëshirshëm i gjithë tokës!

Ki besim te Gjykatësi i mëshirshëm i gjithë tokës!

«A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?!»ZAN. 18:25.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të kuptojmë më qartë si do të shfaqë Jehovai mëshirë dhe drejtësi kur të ringjallë të padrejtët.

1. Çfarë mësimi zemërdhënës i dha Jehovai Abrahamit?

 AJO bisedë mbeti e skalitur përgjithmonë në kujtesën e Abrahamit. Nëpërmjet një engjëlli, Perëndia i tha se do t’i fshinte nga faqja e dheut qytetet e Sodomës dhe Gomorrës. Me shpirt të trazuar, ai burrë besnik e pyeti Jehovain: «Vërtet do ta shfarosësh të drejtin bashkë me të ligun? . . . A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?!» Me durim, Jehovai i dha mikut të tij të dashur këtë mësim që na sjell dobi e na jep zemër të gjithëve: Perëndia s’ka për t’i shfarosur kurrë njerëzit e drejtë.—Zan. 18:23-33.

2. Pse jemi të sigurt se gjykimet e Jehovait janë të drejta dhe të mëshirshme?

2 Pse mund të jemi të sigurt se gjykimet e Jehovait janë të drejta dhe të mëshirshme? Sepse e dimë se «Jehovai sheh në zemër». (1 Sam. 16:7) Në fakt, ai njeh «zemrën e çdo njeriu». (1 Mbret. 8:39; 1 Kron. 28:9) Sa e mahnitshme është kjo! Mençuria e Jehovait s’njeh kufij, ndaj ndonjëherë gjykimet e tij e tejkalojnë atë që mund të kuptojmë ne si njerëz. Janë vërtet të goditura këto fjalë të apostullit Pavël për Perëndinë Jehova: «Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij!»—Rom. 11:33.

3-4. Cilat pyetje mund të na lindin hera-herës, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull? (Gjoni 5:28, 29)

3 Gjithsesi, hera-herës mund të na lindin pyetje si ato që ngriti Abrahami. Gjithashtu, ndoshta vrasim mendjen: «A ka ndonjë shpresë për njerëzit që Jehovai i dënoi me vdekje, si banorët e Sodomës dhe Gomorrës? A është e mundur që ndonjë prej tyre të kthehet në jetë gjatë ‘ringjalljes së të padrejtëve’?»—Vep. 24:15.

4 Të kujtojmë çfarë dimë për ringjalljen. Kohët e fundit u përditësua mënyra si i kuptojmë fjalët e Jezuit për ‘ringjalljen e jetës’ dhe ‘ringjalljen e gjykimit’. a (Lexo Gjonin 5:28, 29.) Ky përditësim ka sjellë qartësime të tjera, që do t’i shqyrtojmë në këtë artikull dhe në artikullin vijues. Në fillim do të shohim çfarë nuk dimë për gjykimet e drejta të Jehovait, e pastaj çfarë dimë për to.

ÇFARË NUK DIMË

5. Ç’kanë thënë në të kaluarën botimet tona për ata që u shfarosën në Sodomë e Gomorrë?

5 Në të kaluarën, botimet tona kanë thënë se për njerëz si ata që u shfarosën në Sodomë e Gomorrë, nuk ka shpresë se do të ringjallen. Por pas një studimi më të kujdesshëm dhe më shumë lutjeve për këtë argument, është e qartë që s’mund ta themi me siguri se s’ka shpresë të ringjallen. Pse?

6. Cilat janë disa gjykime që ka dhënë Jehovai kundër të padrejtëve, por çfarë nuk dimë?

6 Të shohim disa raste konkrete. Ka mjaft histori në Bibël që flasin për gjykimet e Jehovait kundër njerëzve të padrejtë. Për shembull: gjatë Përmbytjes vdiq një numër i madh njerëzish; Jehovai e urdhëroi popullin e tij të shfaroste shtatë kombet që jetonin në Tokën e Premtuar; një engjëll i Jehovait vrau brenda një nate 185.000 ushtarë asirianë. (Zan. 7:23; Ligj. 7:1-3; Isa. 37:36, 37) Në këto raste, a na jep Bibla mjaft informacione për të përcaktuar se Jehovai i dënoi të gjithë ata individë me shkatërrim të përhershëm, pa asnjë shpresë për t’u ringjallur? Jo, nuk na jep. Pse e themi këtë?

7. Çfarë nuk dimë për njerëzit që u shfarosën gjatë Përmbytjes ose gjatë pushtimit të Kananit? (Shihni figurën.)

7 Ne nuk e dimë si e gjykoi Jehovai çdo individ në rastet e përmendura më sipër. Nuk dimë as nëse ata që u vranë, patën mundësi të mësonin për Jehovain dhe të pendoheshin. Kur flet për kohën e Përmbytjes, Bibla vërtet thotë se Noeja ishte «një predikues drejtësie». (2 Pjet. 2:5) Ama nuk thotë se ndërkohë që ndërtonte një arkë kolosale, bëri edhe një fushatë të organizuar për t’i predikuar çdo njeriu që rrezikonte të shfarosej nga Përmbytja. Po ashtu, në rastin e kombeve të Kananit, nuk e dimë nëse gjithë ata njerëz të ligj patën mundësi të mësonin për Jehovain e të kthenin rrugë.

Noeja dhe familja e tij punojnë për të ndërtuar arkën kolosale. Nuk dihet nëse gjatë ndërtimit, Noeja bëri një fushatë të organizuar për t’u predikuar të gjithë njerëzve në tokë para se të vinte Përmbytja (Shih paragrafin 7)


8. Çfarë nuk dimë për banorët e Sodomës dhe Gomorrës?

8 Po ç’të themi për banorët e Sodomës dhe Gomorrës? Mes tyre jetonte një njeri i drejtë, Loti. Megjithatë, a jemi të sigurt se Loti u predikoi të gjithëve një më një? Jo. Pa diskutim që ata ishin të ligj, por a e dinte gjithsecili prej tyre ç’ishte e drejtë dhe ç’ishte e gabuar? Me sa duket, jo. Kur një turmë burrash nga Sodoma u përpoq të përdhunonte mysafirët e Lotit, Bibla thotë se mes tyre kishte «pleq e të rinj». (Zan. 19:4; 2 Pjet. 2:7) A e dimë me siguri se Perëndia i mëshirshëm Jehova e dënoi secilin me vdekje, pa asnjë shpresë për t’u ringjallur? Jo, nuk e dimë. Jehovai e siguroi Abrahamin se në atë qytet nuk kishte as dhjetë të drejtë. (Zan. 18:32) Pra, ata ishin njerëz të padrejtë, dhe Jehovai i dënoi me të drejtë për veprimet e tyre. Po a mund të themi me siguri të plotë se asnjë prej tyre nuk do të kthehet në jetë gjatë ‘ringjalljes së të padrejtëve’? Jo, nuk mund ta themi!

9. Çfarë nuk dimë për Solomonin?

9 Në krahun tjetër, Bibla flet edhe për të drejtë që u bënë të padrejtë. Një shembull është mbreti Solomon. Ai e njihte mirë Jehovain dhe e dinte si duhej ta adhuronte, e Jehovai i derdhi një lumë bekimesh. Megjithatë, më vonë Solomoni filloi të adhuronte perëndi të rreme. Mëkatet e tij i ndezën zemërimin Jehovait dhe sollën pasoja që zgjatën për shekuj me radhë. Vërtet, Shkrimet thonë se Solomoni «u preh me paraardhësit e vet», ku përfshiheshin burra besnikë si mbreti David. (1 Mbret. 11:5-9, 43; 2 Mbret. 23:13) Por, a është mënyra si u varros një garanci se do të ringjallet? Jo, Bibla nuk e thotë këtë. Prapëseprapë, disa mund të sjellin si argument shkrimin që thotë se «kush ka vdekur, është shfajësuar nga mëkati i vet». (Rom. 6:7) Kjo është e vërtetë, por nuk nënkupton se të gjithë ata që kanë vdekur do të ringjallen, a thua se një jetë e re është një e drejtë që u takon. Ringjallja është një dhuratë nga një Perëndi i dashur. Këtë dhuratë ua bën atyre që dëshiron t’u japë mundësinë t’i shërbejnë përgjithmonë. (Jobi 14:13, 14; Gjoni 6:44) A do ta marrë këtë dhuratë Solomoni? Përgjigjen e di Jehovai; ne nuk e dimë. Ama një gjë e dimë mirë: Jehovai do të bëjë atë që është e drejtë.

ÇFARË DIMË

10. Si ndihet Jehovai për shfarosjen e të ligjve? (Ezekieli 33:11) (Shihni edhe figurën.)

10 Lexo Ezekielin 33:11. Jehovai na ka zbuluar si ndihet në lidhje me gjykimin e njerëzve. Nën frymëzim, apostulli Pjetër shkroi diçka të ngjashme me profetin Ezekiel. Ai tha: «Jehovai . . . nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë.» (2 Pjet. 3:9) Duke mbajtur parasysh këtë të vërtetë zemërdhënëse, jemi të sigurt se Jehovai nuk shkatërron askënd njëherë e përgjithmonë, pa pasur një arsye shumë të fortë. Ai është jashtëzakonisht i mëshirshëm dhe tregon mëshirë sa herë që është e mundur.

Kur të ringjallen të padrejtët, shumë njerëzve nga një larmi kulturash e prejardhjesh do t’u jepet mundësia të mësojnë për Jehovain (Shih paragrafin 10)


11. Cilët nuk do të ringjallen, dhe nga e dimë këtë?

11 Çfarë dimë për njerëzit që nuk do të ringjallen? Bibla përmend vetëm pak shembuj. b Një prej tyre është Judë Iskarioti. Jezui tregoi qartë se ai nuk do të ringjallet. (Mar. 14:21; Gjoni 17:12) c Juda iu kundërvu me vetëdije e me dashje Perëndisë Jehova dhe Birit të tij. (Mar. 3:29) d Po ashtu, Jezui tha se disa nga krerët fetarë që i ishin kundërvënë, do të vdisnin pa pasur shpresë të ringjalleshin. (Mat. 23:33) Dhe apostulli Pavël paralajmëroi se apostatët e papenduar nuk do të ringjallen.—Hebr. 6:4-8; 10:29.

12. Çfarë dimë për mëshirën e Jehovait? Jepni shembuj.

12 Nga ana tjetër, çfarë dimë për mëshirën e Jehovait? Si e ka treguar ai se «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë»? Të mendojmë si shfaqi mëshirë Jehovai ndaj disave që bënë mëkate serioze. Mbreti David bëri disa mëkate të rënda, si kurorëshkelje dhe vrasje. Megjithatë u pendua, prandaj Jehovai e fali me mëshirë. (2 Sam. 12:1-13) Mbreti Manase bëri shumë ligësi gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij. Ky ishte një rast ekstrem. Gjithsesi, pasi u pendua, Jehovai e pa pendimin e tij si një bazë që të tregonte mëshirë e ta falte. (2 Kron. 33:9-16) Këta shembuj na kujtojnë se Perëndia ynë tregon mëshirë sa herë që ka një bazë për ta bërë këtë. Jehovai do t’i ringjallë individë të tillë ngaqë ata e kuptuan se kishin bërë mëkate të tmerrshme dhe u penduan.

13. (a) Pse u tregoi mëshirë Jehovai ninevitëve? (b) Çfarë tha më vonë Jezui për ninevitët?

13 Dimë edhe se Jehovai tregoi mëshirë ndaj ninevitëve. Perëndia i tha Jonait: «E kam vënë re ligësinë e tyre.» Por, pasi ninevitët u penduan për mëkatet që kishin bërë, Jehovai i fali me mirësi. Ai u tregua ku e ku më i mëshirshëm se Jonai. Perëndisë iu desh t’i kujtonte profetit të tij të zemëruar se ninevitët ‘nuk dinin të dallonin të drejtën nga e gabuara’. (Jon. 1:1, 2; 3:10; 4:9-11) Më vonë, Jezui e përdori atë shembull për të nxjerrë në pah drejtësinë dhe mëshirën e Jehovait. Ai tha se ninevitët e penduar «do të ringjallen Ditën e Gjykimit».—Mat. 12:41.

14. Çfarë do të nënkuptojë për ninevitët ‘ringjallja e gjykimit’?

14 Çfarë është Dita e Gjykimit kur do të ringjallen ninevitët? Jezui tha se do të ndodhte «një ringjallje gjykimi» në të ardhmen. (Gjoni 5:29) Ai po fliste për Mbretërimin e tij Mijëvjeçar, gjatë të cilit do të ringjallen «si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15) Për të padrejtët, ajo do të jetë «një ringjallje gjykimi». Me fjalë të tjera, Jehovai dhe Jezui do të vëzhgojnë e do të shqyrtojnë sjelljen e tyre dhe mënyrën si do të reagojnë ndaj arsimimit hyjnor. Nëse një ninevit zgjedh të mos e adhurojë Jehovain, do të marrë dënimin me vdekje të përhershme. (Isa. 65:20) Kurse të gjithë ata që zgjedhin ta adhurojnë Jehovain me besnikëri, do të marrin një gjykim të favorshëm. Ata do të kenë shpresën të jetojnë përgjithmonë!—Dan. 12:2.

15. (a) Pse s’duhet të themi se asnjë prej atyre që u shfarosën në Sodomë e Gomorrë nuk do të ringjallet? (b) Ç’kuptim mund të ketë ajo që thuhet te Juda 7? (Shihni kutinë « Ç’donte të thoshte Juda?»)

15 Kur foli për banorët e Sodomës dhe Gomorrës, Jezui tha se «Ditën e Gjykimit» ata do të përfundonin më mirë sesa njerëzit që hodhën poshtë atë dhe mësimet e tij. (Mat. 10:14, 15; 11:23, 24; Luka 10:12) Ç’donte të thoshte? Mos ndoshta po përdorte një hiperbolë? Duket se nuk është kështu. e Edhe në këtë rast, ashtu si në rastin e ninevitëve, duket se Jezui po fliste në kuptimin e mirëfilltë. Pa diskutim që në të dyja rastet ai e kishte fjalën për të njëjtën ‘Ditë Gjykimi’. Të kujtojmë se Jezui tha se gjatë ‘ringjalljes së gjykimit’ do të kthehen në jetë edhe «ata që bënë gjëra të poshtra». (Gjoni 5:29) Njësoj si ninevitët, banorët e Sodomës dhe Gomorrës bënë gjëra të liga. Ama, ndryshe nga ninevitët, ata nuk patën mundësi të pendoheshin. Prandaj duket se banorët e Sodomës dhe Gomorrës nuk janë fare pa shpresë. Ekziston mundësia që të paktën disa prej tyre të ringjallen, dhe ne mund të kemi rastin t’i mësojmë për Jehovain e Jezu Krishtin.

16. Çfarë dimë për mënyrën si do të gjykojë Jehovai kur të ringjallë njerëzit? (Jeremia 17:10)

16 Lexo Jereminë 17:10. Ky varg na ndihmon të përmbledhim atë që dimë për mënyrën si gjykon Jehovai: ai ‘heton zemrën dhe shqyrton skutat më të thella të mendjes’ te çdo individ. Kur të vendosë cilët do të ringjallë në të ardhmen, ai do t’i japë si gjithmonë «secilit sipas udhëve të veta». Jehovai do të veprojë me vendosmëri kur të jetë e nevojshme, por do të tregojë mëshirë sa herë të jetë e mundur. Prandaj s’duhet të nxjerrim kurrë përfundimin se dikush nuk ka shpresë të ringjallet, përveçse po të jemi të sigurt për këtë nga ajo që thotë Bibla.

«GJYKATËSI I GJITHË TOKËS» DO TË BËJË «ATË QË ËSHTË E DREJTË»

17. Ç’do të ndodhë me njerëzit që kanë vdekur?

17 Që nga koha kur Adami dhe Eva shkuan pas Satanait dhe u rebeluan kundër Perëndisë Jehova, kanë vdekur miliarda veta. Vdekja, ky ‘armik’ i tmerrshëm, ka grabitur sa e sa jetë njerëzish. (1 Kor. 15:26) Ç’do të ndodhë me tërë ata që kanë vdekur? Një numër i kufizuar dishepujsh besnikë të Krishtit, gjithsej 144.000, do të ringjallen në qiell dhe do të bëhen të pavdekshëm. (Zbul. 14:1) Një numër i madh burrash e grash që e donin Jehovain dhe i qëndruan besnikë, do të kthehen në jetë gjatë ‘ringjalljes së të drejtëve’. Ata do të jetojnë përgjithmonë në tokë nëse vazhdojnë të jenë të drejtë edhe gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit dhe gjatë sprovës përfundimtare. (Dan. 12:13; Hebr. 12:1) Po ashtu, gjatë Mijëvjeçarit ‘të padrejtëve’—atyre që nuk i shërbyen kurrë Jehovait, ose edhe që «bënë gjëra të poshtra»—do t’u jepet mundësia të kthejnë rrugë e t’i shërbejnë Jehovait besnikërisht. (Luka 23:42, 43) Sidoqoftë, disa njerëz ishin aq të ligj, aq të vendosur të luftonin kundër Jehovait dhe qëllimeve të tij, sa ai ka vendosur të mos ringjallen.—Luka 12:4, 5.

18-19. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i gjykojë me drejtësi të gjithë ata që kanë vdekur? (Isaia 55:8, 9) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 A mund të jemi absolutisht të sigurt se të gjitha gjykimet e Jehovait, të favorshme a të pafavorshme qofshin, do të jenë të drejta? Po, pa diskutim! Siç e kuptoi fare mirë edhe Abrahami, «Gjykatësi i gjithë tokës», Jehovai, është Gjykatës i përsosur, me mençuri të paskajshme dhe plot mëshirë. Ai ka stërvitur Birin e tij dhe i ka lënë në dorë gjithë gjykimin. (Gjoni 5:22) Edhe Ati, edhe Biri, mund të lexojnë zemrën e çdo njeriu. (Mat. 9:4) E në çdo rast kanë për të bërë «atë që është e drejtë»!

19 Le të kemi besim të patundur se gjykimet e Jehovait janë gjithmonë të drejta. E pranojmë se ne nuk jemi të kualifikuar të gjykojmë—ama ai është! (Lexo Isainë 55:8, 9.) Prandaj, plot besim le t’ia lëmë gjithë gjykimin atij dhe Birit të tij, Mbretit që pasqyron përsosmërisht drejtësinë dhe mëshirën e Atit. (Isa. 11:3, 4) Po ç’mund të themi për mënyrën si do t’i gjykojnë Jehovai dhe Jezui njerëzit gjatë shtrëngimit të madh? Çfarë nuk dimë? Dhe çfarë dimë? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.

KËNGA 57 Predikojmë me zemrën hapur, me paanësi

a Shih Kullën e Rojës të shtatorit 2022, f. 14-19.

b Për Adamin, Evën dhe Kainin, shih Kullën e Rojës të 1 janarit 2013, f. 12, shënimin.

c Shprehja «bir i shkatërrimit» te Gjoni 17:12 nënkupton se kur të vdiste, Juda do të merrte fund njëherë e përgjithmonë dhe nuk do të ishte i denjë të ringjallej.

d Shih në jw.org artikullin «Çfarë është mëkati i pafalshëm?»

e Kur dikush përdor një hiperbolë, e zmadhon atë që thotë për të theksuar një ide. Por ka shumë mundësi që fjalët e Jezuit për banorët e Sodomës dhe Gomorrës të kishin kuptim të mirëfilltë, pra nuk janë hiperbolë.