ARTIKULLI I STUDIMIT 20

KËNGA 67 «Prediko fjalën»

Prediko deri në fund i motivuar nga dashuria!

Prediko deri në fund i motivuar nga dashuria!

«Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.»MAR. 13:10.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si na motivon dashuria që të marrim pjesë me zell e me gjithë shpirt në veprën e predikimit.

1. Çfarë mësuam në mbledhjen vjetore të 2023-shit?

 NË MBLEDHJEN vjetore të vitit 2023 a patëm disa qartësime drithëruese për bindjet tona dhe dëgjuam njoftime entuziazmuese për shërbimin. Për shembull, mësuam se ekziston mundësia që disa individë të bashkohen me popullin e Jehovait edhe pasi të shkatërrohet Babilonia e Madhe. Mësuam edhe se, që nga nëntori i 2023-shit, lajmëtarëve nuk do t’u kërkohej më të raportonin gjithë aktivitetin e tyre në shërbim. A e bëjnë këto ndryshime më pak të rëndësishëm ose më pak urgjent shërbimin tonë? Absolutisht jo!

2. Pse shërbimi ynë bëhet më urgjent nga dita në ditë? (Marku 13:10)

2 Nga dita në ditë, shërbimi ynë bëhet edhe më urgjent. Pse? Sepse koha që i mbetet këtij sistemi po skadon. Të kujtojmë çfarë paratha Jezui për veprën e predikimit në ditët e fundit. (Lexo Markun 13:10.) Sipas tregimit paralel te Mateu, Jezui tha se lajmi i mirë do të predikohet në mbarë tokën e banuar para se të vijë «fundi». (Mat. 24:14) «Fundi» nënkupton shkatërrimin e plotë të sistemit të lig të Satanait. Jehovai e ka caktuar «ditën ose orën» për ngjarjet që do të ndodhin së shpejti. (Mat. 24:36; 25:13; Vep. 1:7) Çdo ditë na afron më shumë me atë kohë. (Rom. 13:11) Ndërkohë, derisa të vijë fundi, duhet të vazhdojmë të predikojmë.

3. Cili është motivi që na shtyn të predikojmë?

3 Bëjmë mirë të mendojmë me kujdes për këtë pyetje të rëndësishme: pse e predikojmë lajmin e mirë? Me pak fjalë, motivi që na shtyn të predikojmë është dashuria. Ajo që bëjmë në veprën e predikimit pasqyron dashurinë që kemi në zemër—dashurinë për të vërtetën, dashurinë për njerëzit e, mbi të gjitha, dashurinë për Jehovain dhe emrin e tij. Le të flasim një nga një për këto.

PREDIKOJMË NGAQË E DUAM TË VËRTETËN

4. Si reagojmë kur marrim një lajm të mirë?

4 A të kujtohet ndonjë rast kur more një lajm të mirë—ndoshta ardhja në jetë e një pjesëtari të ri të familjes ose një ofertë pune që të nevojitej shumë? Si u ndjeve? Pa dyshim s’të mbante vendi derisa t’ia tregoje atë lajm të mirë familjarëve dhe miqve. A nuk u ndjeve kështu edhe kur dëgjove lajmin më të mirë nga të gjithë—lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë?

5. Si u ndjeve kur mësove të vërtetën nga Fjala e Perëndisë? (Shihni edhe figurat.)

5 Sill ndër mend si u ndjeve në fillim kur mësove të vërtetën nga Fjala e Perëndisë. Mësove se Ati yt qiellor të do shumë, se dëshiron të jesh pjesë e familjes së adhuruesve të tij, se ka premtuar t’u japë fund dhembjeve e vuajtjeve, se ke shpresë t’i shohësh prapë njerëzit e tu të dashur kur të kthehen në jetë në një botë të re—e sa e sa të vërteta të tjera. (Mar. 10:29, 30; Gjoni 5:28, 29; Rom. 8:38, 39; Zbul. 21:3, 4) U bëre me krahë nga ajo që mësove. (Luka 24:32) I doje ato të vërteta të çmuara dhe s’mund t’i mbaje vetëm për vete.—Krahaso Jereminë 20:9.

Kur dëgjuam në fillim lajmin e mirë, s’mund t’i mbanim vetëm për vete ato të vërteta të çmuara. (Shih paragrafin 5)


6. Çfarë mësove nga shembulli i Ernestit dhe Rozës?

6 Të mendojmë për rastin e një vëllai që quhet Ernest. b Ai ishte rreth dhjetë vjeç kur i vdiq i ati. Ernesti kujton: «Vrisja mendjen: ‘Mos ka shkuar në qiell? Apo është zhdukur përgjithmonë?’ I kisha zili fëmijët e tjerë që i kishin gjallë baballarët.» Ernesti shkonte në varreza thuajse çdo ditë, ulej në gjunjë te varri i të atit dhe lutej: «Të lutem, o Zot, dua të di ku është babi im.» Rreth 17 vjet pasi i kishte vdekur i ati, i ofruan të studionte Biblën dhe pranoi me shumë dëshirë. Ernesti u mahnit kur mësoi se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, sikur të kenë rënë në një gjumë të thellë, dhe se Bibla premton që do të ketë një ringjallje në të ardhmen. (Ekl. 9:5, 10; Vep. 24:15) Më në fund mori përgjigje për pyetjet që e kishin munduar aq gjatë. Ernestin s’e mbante vendi nga entuziazmi për të vërtetat që po mësonte. E shoqja, Roza, filloi të studionte bashkë me të. Edhe asaj i hyri në zemër mesazhi për Mbretërinë, dhe në vitin 1978 u pagëzuan. Të dy u flitnin plot zell familjarëve, miqve dhe të tjerëve për të vërtetat e vyera që kishin mësuar. Si rezultat, Ernesti dhe Roza kanë ndihmuar më shumë se 70 veta që të njohin Jehovain e të pagëzohen.

7. Ç’ndodh kur hedh rrënjë në zemër dashuria për të vërtetën? (Luka 6:45)

7 Kur dashuria për të vërtetën hedh rrënjë në zemër, nuk e mbajmë dot gojën kyçur. (Lexo Lukën 6:45.) Ndihemi si dishepujt e Jezuit në shekullin e parë, që thanë: «Ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.» (Vep. 4:20) Zemra e mbushur me dashuri për të vërtetën na shtyn t’u flasim për të sa më shumë njerëzve.

PREDIKOJMË NGAQË I DUAM NJERËZIT

8. Çfarë na motivon që t’u japim njerëzve lajmin e mirë? (Shihni kutinë « Duaji njerëzit—Bëj dishepuj».) (Shihni edhe figurën.)

8 Njësoj si Jehovai dhe Biri i tij, edhe ne i duam njerëzit. (Prov. 8:31; Gjoni 3:16) Na dhemb zemra për ata njerëz që janë «pa Perëndi» dhe që nuk kanë «asnjë shpresë». (Efes. 2:12) Ata po mbyten nga problemet e jetës, dhe ne kemi jelekun e shpëtimit që u nevojitet—lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Dashuria e dhembshuria për ta na motivojnë të përpiqemi pa u kursyer për t’u dhënë lajmin e mirë. Ky mesazh i çmuar mund t’ua mbushë zemrën me shpresë, mund t’i ndihmojë të jenë të lumtur që sot dhe mund t’u çelë rrugën që të gëzojnë «jetën e vërtetë»—jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë.—1 Tim. 6:19.

Dashuria e dhembshuria për njerëzit na motivojnë të përpiqemi pa u kursyer për t’u dhënë lajmin e mirë (Shih paragrafin 8)


9. Për çfarë i paralajmërojmë njerëzit, dhe pse? (Ezekieli 33:7, 8)

9 Dashuria për njerëzit na nxit edhe t’i paralajmërojmë se fundi i kësaj bote të ligë është te pragu. (Lexo Ezekielin 33:7, 8.) Na dhimbsen të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe familjarët tanë që nuk i shërbejnë Jehovait. Shumë veta vazhdojnë jetën pa e pasur idenë se ç’do të ndodhë së shpejti—‘një shtrëngim aq i madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, e as do të ketë përsëri’. (Mat. 24:21) Duam që ta dinë ç’do të ndodhë gjatë asaj kohe gjykimi—feja e rreme do të zhduket nga faqja e dheut dhe pastaj, në Armagedon, do të shkatërrohet gjithë sistemi i lig. (Zbul. 16:14, 16; 17:16, 17; 19:11, 19, 20) Lutemi që sa më shumë njerëz t’ia vënë veshin paralajmërimit dhe të bashkohen tani me ne në adhurimin e pastër. Po ç’të themi për ata që nuk duan të dëgjojnë sot, mes të cilëve ndoshta edhe familjarët tanë të dashur?

10. Pse është urgjente të vazhdojmë t’i paralajmërojmë njerëzit?

10 Siç u shpjegua në artikullin e kaluar, vullneti i Jehovait mund të jetë t’i shpëtojë njerëzit që do të tregojnë besim tek ai kur të shohin shkatërrimin e Babilonisë së Madhe. Nëse do të ndodhë kështu, atëherë është akoma më urgjente të vazhdojmë t’i paralajmërojmë njerëzit për këtë. Mendo pak: ato që u themi sot mund t’u kujtohen atë ditë. (Krahaso Ezekielin 33:33.) Ndoshta do t’u vijë ndër mend paralajmërimi që kishim dhënë, dhe zemra do t’i shtyjë të bashkohen me ne në adhurimin e pastër para se të jetë tepër vonë. Ashtu si roja i burgut në Filipi që tregoi besim te Jehovai vetëm pasi ‘ra një tërmet i madh’, disa që nuk e pranojnë sot lajmin e mirë ndoshta do të tregojnë besim te Jehovai pas shkatërrimit të Babilonisë së Madhe, që do të tronditë botën.—Vep. 16:25-34.

PREDIKOJMË NGAQË E DUAM JEHOVAIN DHE EMRIN E TIJ

11. Si i japim Jehovait lavdi, nderim dhe fuqinë tonë? (Zbulesa 4:11) (Shihni edhe figurat.)

11 Arsyeja më e rëndësishme pse predikojmë lajmin e mirë është dashuria për Perëndinë Jehova dhe emrin e tij të shenjtë. E shohim shërbimin si një mënyrë për të lëvduar Perëndinë që duam aq shumë. (Lexo Zbulesën 4:11.) E pranojmë me gjithë shpirt se Perëndia Jehova është i denjë të marrë nga adhuruesit e tij besnikë lavdinë, nderimin dhe fuqinë. I japim nderim e lavdi kur u tregojmë të tjerëve dëshmitë bindëse se Jehovai ‘krijoi gjithçka’ dhe se jemi gjallë ngaqë ai na dhuroi jetën. I japim Perëndisë fuqi—fuqinë tonë—kur i përdorim kohën, energjitë dhe të ardhurat për të marrë pjesë në shërbim sa më shumë që na lejojnë rrethanat. (Mat. 6:33; Luka 13:24; Kolos. 3:23) Na e do zemra të flasim për Perëndinë që e duam me gjithë shpirt. Dashuria na motivon edhe t’u flasim të tjerëve për emrin dhe cilësitë e tij të bukura. Pse?

I japim Jehovait fuqinë tonë kur i përdorim kohën, energjitë dhe të ardhurat për të marrë pjesë në shërbim sa më shumë që na lejojnë rrethanat (Shih paragrafin 11)


12. Si e shenjtërojmë emrin e Jehovait në shërbim?

12 Dashuria për Jehovain na shtyn të shenjtërojmë emrin e tij. (Mat. 6:9) Dëshirojmë të bëjmë pjesën tonë për ta pastruar emrin e Jehovait nga akuzat dhe shpifjet e liga me të cilat e ka përlyer Satanai. (Zan. 3:1-5; Jobi 2:4; Gjoni 8:44) Duam me gjithë shpirt ta mbrojmë emrin e Jehovait në shërbim, duke u treguar tërë atyre që duan të dëgjojnë se çfarë Perëndie është. Duam që çdo njeri ta dijë se cilësia e tij më e rëndësishme është dashuria, se mënyra si qeveris është e drejtë dhe se, së shpejti, Mbretëria e tij do t’u japë fund vuajtjeve e do t’i sjellë paqe e lumturi familjes njerëzore. (Psal. 37:10, 11, 29; 1 Gjon. 4:8) Kur mbrojmë reputacionin e Jehovait në shërbim, shenjtërojmë emrin e tij. Gjithashtu ndihemi të lumtur sepse po jetojmë në lartësinë e emrit që mbajmë, Dëshmitarë të Jehovait. Pse e themi këtë?

13. Pse ndihemi krenarë që mbajmë emrin Dëshmitarë të Jehovait? (Isaia 43:10-12)

13 Jehovai na ka zgjedhur të jemi «dëshmitarët» e tij. (Lexo Isainë 43:10-12.) Disa vjet më parë, në një letër nga Trupi Udhëheqës thuhej: «Nderi më i madh që mund të ketë çdonjëri prej nesh është të quhet Dëshmitar i Jehovait». c Pse? Të bëjmë një ilustrim. Po të kishe nevojë që dikush të dëshmonte para gjyqit që je njeri i mirë dhe i ndershëm, kë do të zgjidhje? Patjetër do të zgjidhje dikë që e njeh dhe i beson, me një reputacion që do ta bënte dëshminë e tij të besueshme. Duke na zgjedhur të jemi Dëshmitarët e tij, Jehovai tregon se na njeh mirë dhe se ka besim që do të dëshmojmë se është i vetmi Perëndi i vërtetë. Ndihemi aq të nderuar që jemi Dëshmitarët e tij, sa shfrytëzojmë çdo mundësi që ta bëjmë të njohur emrin e Jehovait dhe të hedhim poshtë gjithë gënjeshtrat e tmerrshme që janë thënë për të. Në këtë mënyrë, jetojmë në lartësinë e emrit që e mbajmë me kaq krenari, Dëshmitarë të Jehovait!—Psal. 83:18; Rom. 10:13-15.

NUK DO TA NDALIM PREDIKIMIN GJER NË FUND

14. Çfarë ngjarjesh emocionuese mund të përjetojmë së shpejti?

14 Çfarë ngjarjesh emocionuese mund të përjetojmë së shpejti! Falë bekimit të Jehovait, shpresojmë që edhe më shumë njerëz ta pranojnë të vërtetën para se të nisë shtrëngimi i madh. Gjithashtu drithërohemi kur mendojmë se edhe gjatë periudhës më të errët të historisë njerëzore—shtrëngimit të madh—mund të ketë akoma njerëz që do të dalin nga bota e Satanait, e cila do të jetë në grahmat e fundit, dhe do të bashkohen me ne për të lëvduar Jehovain.—Vep. 13:48.

15-16. Çfarë do të vazhdojmë të bëjmë, dhe deri kur?

15 Ndërkohë kemi goxha punë. Kemi privilegjin të marrim pjesë në një vepër të papërsëritshme në histori—në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë anekënd tokës. Në të njëjtën kohë, duhet të vazhdojmë t’i paralajmërojmë njerëzit. Ata kanë nevojë të dinë se fundi i këtij sistemi të lig po afrohet me shpejtësi. Kështu, kur të mbërrijë ajo kohë gjykimi, kanë për ta ditur se mesazhi që predikonim, vinte nga Perëndia Jehova.—Ezek. 38:23.

16 Çfarë jemi të vendosur të bëjmë, pra? Të motivuar nga dashuria që kemi në zemër—dashuria për lajmin e mirë, dashuria për njerëzit e, mbi të gjitha, dashuria për Perëndinë Jehova dhe emrin e tij—do të vazhdojmë të predikojmë plot entuziazëm, ndjenjë urgjence e zell derisa Jehovai të thotë: «Mjaft!»

KËNGA 54 «Kjo është udha»

a Mbledhja vjetore u mbajt më 7 tetor 2023 në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Njubërg, Nju-Jork, SHBA. I gjithë programi doli më vonë në JW Broadcasting®—pjesa 1 në nëntor 2023 dhe pjesa 2 në janar 2024.

b Shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën—Më lanë pa fjalë përgjigjet e qarta e logjike të Biblës», në Kullën e Rojës të 1 shkurtit 2015.

c Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2007, f. 3.