ARTIKULLI I STUDIMIT 22
KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!
Si të kesh një periudhë njohjeje të suksesshme
‘Njeriu i fshehtë i zemrës [është] i vyer.’ —1 PJET. 3:4.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si mund të kenë çiftet një periudhë njohjeje të suksesshme dhe si mund t’i mbështetin të tjerët në kongregacion.
1-2. Si ndihen disa për periudhën e njohjes?
PERIUDHA e njohjes mund të jetë e bukur dhe emocionuese. Nëse po njihesh me dikë, pa dyshim dëshiron që kjo të jetë një kohë e lumtur. E për shumë çifte kështu është. Sijana, a një motër nga Etiopia, thotë: «Koha kur po njihesha me tim shoq ishte një nga më të bukurat e jetës sime. Bisedonim për gjëra serioze, si edhe qeshnim me njëri-tjetrin. Ndihesha e lumtur pasi kuptova se kisha gjetur dikë që e dua dhe më do.»
2 Megjithatë, Alesio, një vëlla nga Holanda, thotë: «Ishte kënaqësi të njihja gruan time të ardhshme, por periudha e njohjes kishte edhe vështirësi.» Në këtë artikull do të shohim disa vështirësi të mundshme, si edhe disa parime nga Bibla që mund t’i ndihmojnë çiftet të kenë një periudhë njohjeje të suksesshme. Do të shohim edhe çfarë mund të bëjnë të tjerët në kongregacion për t’i mbështetur ata që po njihen.
QËLLIMI I PERIUDHËS SË NJOHJES
3. Cili është qëllimi i periudhës së njohjes? (Proverbat 20:25)
3 Periudha e njohjes është një kohë e gëzueshme, por është edhe një hap serioz që mund të çojë drejt martesës. Kur martohet, një çift betohet para Jehovait se do ta duan dhe do ta respektojnë njëri-tjetrin për sa kohë të jetojnë. Para se të bëjmë një betim ose zotim, duhet ta peshojmë me shumë kujdes. (Lexo Proverbat 20:25.) Pa dyshim, kjo vlen edhe për betimin martesor. Periudha e njohjes u jep mundësi çifteve ta njohin mirë njëri-tjetrin dhe të marrin një vendim të mençur. Ndonjëherë ky vendim është të martohen; herë të tjera t’i japin fund njohjes. Nëse ndahen, kjo s’do të thotë se periudha e njohjes ishte e pasuksesshme. Përkundrazi, ajo e arriti qëllimin—i ndihmoi të merrnin një vendim të mençur.
4. Pse duhet të kemi pikëpamjen e duhur për periudhën e njohjes?
4 Pse është e rëndësishme që të pamartuarit të kenë pikëpamjen e duhur për periudhën e njohjes? Sepse kështu nuk do të fillojnë të njihen me dikë nëse s’kanë fare ndër mend të martohen me të. Ama, jo vetëm të pamartuarit, por të gjithë ne duhet të kemi pikëpamjen e duhur për periudhën e njohjes. Për shembull, disa mendojnë se nëse dy veta po njihen, duhet medoemos të martohen. Si ndikon ky qëndrim te vëllezërit e motrat beqare? Melisa, një motër beqare në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Një vëlla e një motër që po njihen, ndihen shumë nën presion. Për pasojë, disa nuk i japin fund një lidhjeje që nuk po funksionon. Kurse të tjerë vendosin të mos njihen fare me dikë. Presioni mund të jetë mbytës.»
NJIHENI MIRË NJËRI-TJETRIN
5-6. Çfarë duhet të përpiqen të mësojnë për njëri-tjetrin ata që po njihen? (1 Pjetrit 3:4)
5 Gjatë periudhës së njohjes, çfarë mund t’ju ndihmojë të vendosni nëse është e mençur të martoheni? Njiheni mirë njëri-tjetrin. Ndoshta dije disa gjëra më parë për tjetrin, por tani ke mundësinë të njohësh «njeriun e fshehtë të zemrës». (Lexo 1 Pjetrit 3:4.) Mund të kuptosh më mirë si është marrëdhënia e tij me Jehovain, çfarë cilësish ka dhe si mendon. Me kalimin e kohës duhet të jesh në gjendje t’u përgjigjesh pyetjeve të tilla, si: «A do të jetë një bashkëshort i mirë për mua?» (Prov. 31:26, 27, 30; Efes. 5:33; 1 Tim. 5:8) «A mund t’i plotësojmë nevojat emocionale të njëri-tjetrit? A e kemi të lehtë t’i durojmë të metat e njëri-tjetrit?» b (Rom. 3:23) Ndërsa njiheni, mos harroni: gjëja kryesore që përcakton nëse përputheni me njëri-tjetrin, nuk është sa të ngjashëm jeni, por sa përshtateni me ndryshimet mes jush.
6 Ç’duhet të mësosh tjetër për personin me të cilin po njihesh? Para se të përfshihesh tepër emocionalisht, duhet të diskutoni për disa gjëra të rëndësishme, si për shembull për synimet që keni. Por ç’të themi për çështje personale, si: problemet shëndetësore, problemet financiare ose traumat e së kaluarës? Nuk është e nevojshme që çdo gjë të diskutohet në fillim të periudhës së njohjes. (Krahaso Gjonin 16:12.) Nëse të duket mjaft herët për t’iu përgjigjur disa pyetjeve tepër personale, mos ngurro t’ia thuash personit me të cilin po njihesh. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai ose ajo do të ketë nevojë t’i dijë këto informacione për të marrë një vendim të mençur. Pra në njëfarë momenti, do të të duhet të flasësh hapur për këto gjëra.
7. Çfarë mund të bëjnë çiftet për ta njohur më mirë njëri-tjetrin? (Shihni edhe kutinë « Njohje në distancë».) (Shihni edhe figurat.)
7 Por ç’mund të bësh për të kuptuar si është vërtet tjetri përbrenda? Një nga mënyrat më të mira është të flasësh hapur ose pa dorashka, të bësh pyetje dhe të dëgjosh me vëmendje. (Prov. 20:5; Jak. 1:19) Për këtë mund të jetë e dobishme të zgjidhni aktivitete që ju krijojnë mundësi të bisedoni, si për shembull të hani bashkë, të shëtitni në vende publike dhe të dilni në shërbim. Mund të njiheni më mirë edhe ndërsa kaloni kohë me miqtë dhe familjen. Veç kësaj, planifikoni aktivitete ku secili mund të vërejë si sillet tjetri në rrethana të ndryshme dhe me njerëz të ndryshëm. Ja ç’tregon Eshuini nga Holanda për periudhën e njohjes me Alisian: «Përpiqeshim të zgjidhnim aktivitete që na ndihmonin të njiheshim më mirë. Shpesh ishin gjëra të thjeshta, si të përgatitnim një vakt ose të bënim ndonjë punë së bashku. Gjatë këtyre aktiviteteve shihnim pikat e forta e të dobëta të njëri-tjetrit.»
8. Si mund të nxjerrin dobi çiftet ndërsa studiojnë së bashku?
8 Mund ta njihni më mirë njëri-tjetrin edhe duke studiuar së bashku tema të ndryshme nga Shkrimet. Po të martoheni, do t’ju duhet të gjeni kohë për adhurimin familjar, që Perëndia të jetë pjesë e rëndësishme e martesës suaj. (Ekl. 4:12) Ndaj, pse të mos programoni kohë për të studiuar së bashku gjatë periudhës së njohjes? Natyrisht, ata që po njihen nuk janë akoma një familje, dhe vëllai nuk është akoma kreu i motrës. Gjithsesi, duke studiuar rregullisht së bashku, mund të kuptojnë si është marrëdhënia e secilit me Jehovain. Maksi dhe Laisa, një çift nga Shtetet e Bashkuara, nxorën edhe një dobi tjetër nga studimi së bashku. Ai thotë: «Nga fillimi i periudhës së njohjes, nisëm të studionim botime për temën e njohjes, të martesës dhe të jetës familjare. Ky studim u hapi dyert bisedave për shumë gjëra të tjera të rëndësishme, që përndryshe do ta kishim të vështirë t’i diskutonim.»
ÇFARË DUHET TË PESHONI TJETËR
9. Çfarë duhet të peshojë një çift kur vendos kujt do t’i tregojnë se po njihen?
9 Kujt duhet t’i tregoni që po njiheni? Këtë duhet ta vendosni si çift. Kur filloni të njiheni, mund të vendosni t’u tregoni vetëm pak vetave. (Prov. 17:27) Kështu mund të shmangni presionin dhe pyetjet e panevojshme. Ama, nëse nuk i tregoni askujt, mund të izoloheni nga meraku që të mos e marrë vesh njeri. Kjo mund të jetë e rrezikshme. Prandaj është e mençur që të paktën t’u thoni atyre që mund t’ju japin këshilla të mira dhe ndihmë praktike. (Prov. 15:22) Për shembull, mund t’u tregoni disa pjesëtarëve të familjes, motrave dhe vëllezërve të pjekur ose pleqve.
10. Si mund ta nderojnë Jehovain ata që po njihen? (Proverbat 22:3)
10 Si mund ta nderoni Jehovain ndërsa njiheni? Ndërsa ndjenjat bëhen më të forta, është e natyrshme të ndiheni më të tërhequr ndaj njëri-tjetrit. Çfarë mund t’ju ndihmojë të qëndroni të pastër moralisht? (1 Kor. 6:18) Shmangni bisedat imorale, qëndrimin vetëm për vetëm dhe pirjen me tepri. (Efes. 5:3) Këto mund t’jua ndezin pasionin dhe t’jua dobësojnë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Pse të mos flisni herë pas here se çfarë masash mund të merrni për të respektuar njëri-tjetrin dhe normat e Jehovait? (Lexo Proverbat 22:3.) Të shohim çfarë i ndihmoi Dauitin dhe Almazën nga Etiopia. Ata thonë: «Kalonim kohë së bashku në vende plot njerëz a në shoqërinë e miqve. Nuk rrinim kurrë vetëm në një makinë ose shtëpi. Kështu shmangnim situatat që mund të na tundonin.»
11. Çfarë duhet të peshojë një çift kur vendos si ta shprehin përzemërsinë për njëri-tjetrin?
11 A duhet të shfaqni përzemërsi për njëri-tjetrin gjatë periudhës së njohjes? Ndërsa dashuria mes jush shtohet, mund të vendosni që ta shprehni përzemërsinë në mënyra të përshtatshme. (Këng. 1:2; 2:6) Por, nëse këto ju ndezin pasionin, do ta keni të vështirë të mendoni me kthjelltësi për njëri-tjetrin. Gjithashtu, ndërsa shprehni përzemërsi, është shumë e lehtë ta humbni vetëkontrollin, e kjo mund të çojë në sjellje që lëndojnë Jehovain. (Prov. 6:27) Ndaj, që në fillim të njohjes, diskutoni çfarë kufijsh do të vini në harmoni me parimet e Biblës. c (1 Sel. 4:3-7) Si çift, mendoni për këto pyetje: «Këtu ku jetojmë, si do t’i shihnin njerëzit shprehjet e përzemërsisë mes nesh? A mund të ndezin pasionin te ndonjëri nga ne?»
12. Çfarë duhet të peshojë një çift nëse kanë probleme dhe mosmarrëveshje?
12 Ç’të bëni nëse keni probleme dhe mosmarrëveshje? Nëse keni mosmarrëveshje herë pas here, a tregon kjo se marrëdhënia juaj nuk po funksionon? Jo medoemos; të gjitha çiftet kanë mosmarrëveshje. Një martesë e fortë është bashkimi i dy njerëzve që bashkëpunojnë për t’i kapërcyer mosmarrëveshjet. Kështu, nga mënyra si i zgjidhni problemet tani, mund të kuptoni nëse martesa juaj do të jetë e suksesshme. Si çift, mendoni për këto pyetje: «A mund t’i diskutojmë problemet me qetësi dhe respekt? A jemi të gatshëm t’i pranojmë gabimet tona dhe të përmirësohemi? A jemi të gatshëm të hapim rrugë, të kërkojmë ndjesë dhe të falim?» (Efes. 4:31, 32) Megjithatë, nëse debatoni ose grindeni orë e minutë gjatë periudhës së njohjes, ka shumë të ngjarë që pas martesës situata nuk do të përmirësohet. Nëse kupton se nuk është personi i duhur për ty, vendimi më i mirë për të dy do të ishte t’i jepnit fund periudhës së njohjes. d
13. Çfarë duhet të peshojë një çift për të përcaktuar sa do të zgjatë periudha e njohjes?
13 Sa duhet të zgjatë periudha e njohjes? Vendimet e nxituara shpesh sjellin pasoja. (Prov. 21:5) Prandaj lini aq kohë sa ju duhet për t’u njohur mirë. Megjithatë nuk ka pse ta zgjatni njohjen më tepër nga ç’nevojitet. Bibla thotë edhe: «Pritja e zgjatur e ligështon zemrën.» (Prov. 13:12) Veç kësaj, sa më shumë kohë të kaloni bashkë, aq më e vështirë mund të jetë t’i rezistoni tundimit për të kryer imoralitet. (1 Kor. 7:9) Në vend që të përqendrohesh te sa kohë ka që po njiheni, pyet veten: «Çfarë kam nevojë të di akoma për tjetrin para se të marr një vendim?»
SI MUND T’I MBËSHTETIM ATA QË PO NJIHEN?
14. Në cilat mënyra praktike mund t’i mbështetim dy veta që po njihen? (Shihni edhe figurën.)
14 Nëse njohim dy veta që po shoqërohen, si mund t’i ndihmojmë? Mund t’i ftojmë për një vakt, për adhurimin familjar ose për t’u zbavitur pak bashkë. (Rom. 12:13) Në rrethana të tilla mund ta njohin njëri-tjetrin akoma më mirë. A kanë nevojë t’i shoqërojmë në një takim a t’i çojmë diku me makinë? A u duhet ndonjë vend ku të flasin privatisht? Nëse po, a mund të ofrohemi për t’i ndihmuar? (Gal. 6:10) Alisia, që u përmend më sipër, tregon se çfarë vlerësonin ajo dhe Eshuini: «Na ngrohej zemra kur disa vëllezër e motra na thoshin që nëse na duhej një vend ku të ishim bashkë por jo të izoluar, mund të shkonim në shtëpinë e tyre.» Nëse një çift të kërkon t’i shoqërosh, shihe këtë si një mundësi për t’i ndihmuar miqtë e tu. Bëj kujdes të mos i lësh krejtësisht vetëm, por njëkohësisht dallo nëse kanë nevojë për kohë dhe hapësirë që të flasin privatisht.—Filip. 2:4.
15. Çfarë mund të bëjmë tjetër për të ndihmuar ata që po njihen? (Proverbat 12:18)
15 Mund ta mbështetim një çift edhe me atë që themi a që nuk themi. Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme t’i vëmë fre gjuhës. (Lexo Proverbat 12:18.) Për shembull, ndoshta mezi presim t’u tregojmë të tjerëve se dy veta kanë filluar të njihen, por ata mbase duan t’ua japin vetë lajmin. Nuk duhet të bëjmë thashetheme për ta ose t’i kritikojmë për çështje personale. (Prov. 20:19; Rom. 14:10; 1 Sel. 4:11) Veç kësaj, çiftit mund të mos i pëlqejnë komentet a pyetjet që nënkuptojnë se duhet të martohen ose do të martohen. Një motër, që quhet Eliza, dhe burri i saj kujtojnë: «Ndiheshim në siklet kur të tjerët na pyesnin për planet e dasmës, ndërkohë që ne nuk kishim diskutuar akoma për këtë.»
16. Ç’duhet të bëjmë nëse një çift vendos t’i japë fund periudhës së njohjes?
16 Po nëse një çift vendos t’i japë fund periudhës së njohjes? Nuk duhet të futim hundët e as të fajësojmë ndonjërin prej tyre. (1 Pjet. 4:15) Një motër që quhet Lea, thotë: «Dëgjoja lart e poshtë hamendësime për arsyet pse isha ndarë me një vëlla. Kjo më lëndonte shumë.» Siç thamë më lart, nëse një çift vendos të ndahet, kjo s’do të thotë medoemos se periudha e njohjes ishte e pasuksesshme. Zakonisht thjesht nënkupton se ajo e arriti qëllimin e saj—i ndihmoi të merrnin një vendim të mençur. Prapëseprapë, ky vendim mund t’u ketë hapur një plagë dhe mund të ndihen të vetmuar. Prandaj mund të kërkojmë mënyra si t’i mbështetim.—Prov. 17:17.
17. Çfarë duhet të vazhdojë të bëjë një çift që po njihet?
17 Siç kemi parë, periudha e njohjes mund të ketë vështirësitë e veta, por mund të jetë edhe një kohë e gëzueshme. Xhesika kujton: «Të them të drejtën, duhej goxha punë për ta njohur njëri-tjetrin. Ama ia vlejtën qind për qind koha dhe energjitë që harxhuam.» Nëse po shoqëroheni si çift, vazhdoni të përpiqeni ta njihni mirë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, periudha e njohjes do të jetë e suksesshme—do t’ju ndihmojë të dyve të merrni një vendim të mençur.
KËNGA 49 Do t’ia gëzoj zemrën Jehovait
a Disa emra janë ndryshuar.
b Për pyetje të tjera, shih Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, f. 39-40.
c Përkëdhelja e organeve gjenitale të një personi tjetër është një formë e imoralitetit seksual dhe kërkon që pleqtë të formojnë një komitet gjyqësor. Edhe përkëdhelja e gjoksit dhe bisedat imorale me mesazhe ose me anë të telefonit mund të kërkojnë formimin e një komiteti gjyqësor, në varësi të rrethanave.
d Për më shumë informacion, shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 1999.
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM