ARTIKULLI I STUDIMIT 14

«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi»

«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi»

«Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—GJONI 13:35.

KËNGA 106 Kultivo dashurinë

PËRMBLEDHJE a

Çfarë mendojnë shumë njerëz që nuk janë Dëshmitarë kur shohin dashurinë mes popullit të Jehovait? (Shih paragrafin 1)

1. Çfarë u bën përshtypje atyre që ndjekin për herë të parë mbledhjet tona? (Shih edhe figurën.)

 PËRFYTYRO një çift të martuar që ndjek për herë të parë mbledhjen në një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. U lë mbresë të thellë mikpritja e ngrohtë dhe dashuria që kanë mes tyre vëllezërit e motrat. Rrugës për në shtëpi, gruaja i thotë burrit: «S’e ç’kanë ndryshe Dëshmitarët e Jehovait, u kënaqa shumë me ta.»

2. Pse disa janë larguar nga Jehovai?

2 Dashuria që ekziston mes shërbëtorëve të Jehovait është e jashtëzakonshme. Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të përsosur. (1 Gjon. 1:8) Ja pse, teksa i njohim më shumë pjesëtarët e kongregacionit, ka të ngjarë që do të dallojmë disa nga të metat e tyre. (Rom. 3:23) Mjerisht, për shkak të të metave të të tjerëve, disa janë larguar nga Jehovai.

3. Nga se dallohen dishepujt e vërtetë të Jezuit? (Gjoni 13:34, 35)

3 Lexoje përsëri shkrimin kryesor të artikullit. (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Cila është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë? Dashuria, jo përsosmëria! Vër re gjithashtu se Jezui nuk tha «nga kjo do ta dish se jeni dishepujt e mi», por «nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi». Pra, Jezui tregoi se jo vetëm dishepujt e tij, por edhe ata që nuk janë pjesë e kongregacionit të krishterë do t’i dallojnë dishepujt e tij të vërtetë nga dashuria altruiste për njëri-tjetrin.

4. Cilat pyetje mund të bëjnë disa që nuk janë Dëshmitarë?

4 Disa që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait mund të pyesin: «Si na ndihmon dashuria të dallojmë dishepujt e vërtetë të Jezuit? Si tregoi Jezui dashuri për apostujt e tij? Si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit sot?» Ne që jemi Dëshmitarë bëjmë mirë të reflektojmë për përgjigjet e këtyre pyetjeve. Kjo do të na ndihmojë të tregojmë dashuri më të plotë, veçanërisht kur përballemi me të metat e njëri-tjetrit.—Efes. 5:2.

PSE DASHURIA ËSHTË SHENJA DALLUESE E DISHEPUJVE TË VËRTETË TË JEZUIT?

5. Shpjegoni fjalët e Jezuit te Gjoni 15:12, 13.

5 Jezui e bëri të qartë se dishepujt e tij do të dalloheshin nga një lloj i veçantë dashurie. (Lexo Gjonin 15:12, 13.) Ja urdhri që u dha Jezui dishepujve: «Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë.» Ç’do të thotë kjo? Siç e shpjegoi vetë Jezui, kjo është një dashuri vetëmohuese, dashuri që e shtyn një të krishterë të japë edhe jetën për një bashkadhurues po të jetë nevoja. b

6. Si e nënvizon rëndësinë e dashurisë Fjala e Perëndisë?

6 Fjala e Perëndisë e nënvizon me forcë rëndësinë e dashurisë. Mes vargjeve të preferuara nga Bibla, shumë njerëz kanë edhe këto: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjon. 4:8) «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mat. 22:39) «Dashuria mbulon mëkate të shumta.» (1 Pjet. 4:8) «Dashuria nuk shuhet kurrë.» (1 Kor. 13:8) Këto vargje, si edhe shumë të tjera, e bëjnë të qartë sa e rëndësishme është ta kultivosh e ta shfaqësh këtë cilësi të bukur.

7. Pse Satanai nuk mund t’i mësojë kurrë njerëzit ta duan njëri-tjetrin e të jenë të bashkuar?

7 Shumë njerëz pyesin: «Si mund të identifikohet feja e vërtetë? Të gjitha fetë thonë se kanë të vërtetën, por ama u mësojnë të tjerëve gjëra të ndryshme për Perëndinë.» Satanai ia ka dalë mbanë t’i ngatërrojë njerëzit duke krijuar një mori organizatash të rreme fetare. Por, ai nuk mund të krijojë një familje mbarëbotërore adhuruesish që e duan njëri-tjetrin. Vetëm Jehovai mund ta bëjë këtë, sepse dashuria e vërtetë vjen nga Jehovai. Vetëm ata që kanë bekimin dhe frymën e Jehovait mund të kenë dashuri të vërtetë mes tyre. (1 Gjon. 4:7) Ja pse nuk çuditemi që Jezui tha se dashuria vetëmohuese do të ishte shenja dalluese e dishepujve të tij të vërtetë.

8-9. Çfarë ndikimi ka pasur te shumë njerëz dashuria që kanë parë mes Dëshmitarëve të Jehovait?

8 Ashtu siç paratha Jezui, shumë i kanë dalluar dishepujt e tij të vërtetë nga dashuria e sinqertë për njëri-tjetrin. Për shembull, një vëlla që quhet Jan, kujton kongresin e parë ku mori pjesë, i cili u mbajt në një stadium pranë shtëpisë së tij. Jani kishte qenë në atë stadium ca muaj më herët për të parë një ndeshje. Ai thotë: «Ky kongres ndryshonte si nata me ditën. Dëshmitarët ishin të respektueshëm e të veshur këndshëm, dhe fëmijët e tyre silleshin mirë . . . Mbi të gjitha, këta njerëz dukeshin të kënaqur e në paqe, diçka që e dëshiroja me zjarr. Nuk i kujtoj fjalimet që u mbajtën atë ditë, por sjellja e Dëshmitarëve më la mbresa të thella.» c Kjo sjellje, pa dyshim, është rezultat i dashurisë së vërtetë që kemi për njëri-tjetrin. Ngaqë i duam vëllezërit e motrat, i trajtojmë me mirësi e respekt.

9 Një vëlla që quhet Xhon, pati të njëjtën përshtypje kur nisi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit: «Ata tregoheshin miqësorë . . . dhe kjo më bëri përshtypje—ishin si shenjtorë. Dashuria e sinqertë që tregonin më bindi se kisha gjetur fenë e vërtetë.» d Këto, si edhe plot raste të ngjashme, tregojnë pa hije dyshimi se shërbëtorët e Jehovait janë të krishterët e vërtetë.

10. Në cilat raste kemi një mundësi të mirë për të treguar dashuri të vërtetë? (Shih edhe shënimin.)

10 Siç u tha më sipër, asnjë prej bashkadhuruesve tanë nuk është i përsosur. Ndonjëherë do të bëjnë a do të thonë gjëra që na mërzitin. e (Jak. 3:2) Në këto raste, kemi një mundësi të mirë që ta tregojmë dashurinë e vërtetë me mënyrën si reagojmë. Çfarë mund të mësojmë për këtë nga Jezui?—Gjoni 13:15.

SI TREGOI DASHURI JEZUI PËR APOSTUJT E TIJ?

Jezui i trajtoi me dashuri apostujt kur shfaqën tipare jo të mira (Shih paragrafët 11-13)

11. Cilat tipare të këqija shfaqën Jakovi dhe Gjoni? (Shih edhe figurën.)

11 Jezui nuk priste që dishepujt e tij të ishin të përsosur. Përkundrazi, ai i ndihmoi me dashuri të ndreqnin tiparet jo të mira të personalitetit të tyre, që të fitonin miratimin e Jehovait. Në një rast, dy nga apostujt, Jakovi dhe Gjoni, dërguan te Jezui nënën e tyre që të kërkonte për ta vende të nderuara në Mbretëri. (Mat. 20:20, 21) Me këtë që kërkuan, Jakovi dhe Gjoni po tregoheshin krenarë dhe ambiciozë.—Prov. 16:18.

12. A shfaqën vetëm Jakovi e Gjoni tipare të këqija? Shpjegoni.

12 Jakovi dhe Gjoni nuk ishin të vetmit që shfaqën tipare të këqija në atë rast. Shiko si reaguan apostujt e tjerë: «Kur dëgjuan për këtë, dhjetë të tjerët u indinjuan me dy vëllezërit.» (Mat. 20:24) Mund të imagjinojmë debatin e fortë që do të jetë hapur mes Jakovit, Gjonit dhe apostujve të tjerë. Ndoshta të tjerët mund të kenë thënë: «Çfarë ju duket vetja që kërkoni vendet më të mira në Mbretëri? Pse, vetëm ju jeni munduar krah Jezuit?! Ne jemi të kualifikuar po aq sa ju për privilegje speciale!» Çfarëdo që të kenë thënë a menduar, në atë rast apostujt harruan se duhej të shfaqnin përzemërsi vëllazërore për njëri-tjetrin.

13. Si reagoi Jezui ndaj të metave të apostujve? (Mateu 20:25-28)

13 Si veproi Jezui në atë rast? Nuk u zemërua. Nuk tha se do të shkonte të gjente apostuj më të mirë, burra që kishin më shumë përulësi dhe që do ta trajtonin gjithnjë me dashuri njëri-tjetrin. Jo, Jezui arsyetoi me durim me ta, se e dinte që kishin zemër të mirë. (Lexo Mateun 20:25-28.) Ai vazhdoi t’i trajtonte me dashuri, edhe pse ky nuk ishte as rasti i parë e as i fundit kur apostujt u përpoqën të përcaktonin se kush prej tyre ishte më i madhi.—Mar. 9:34; Luka 22:24.

14. Në ç’lloj ambienti ishin rritur apostujt e Jezuit?

14 Pa dyshim, Jezui mbajti parasysh mënyrën si ishin rritur apostujt. (Gjoni 2:24, 25) Udhëheqësit fetarë të kohës i jepnin shumë rëndësi famës dhe pozitës. (Mat. 23:6; shih edhe artikullin Sinagoga—Aty ku predikonin Jezui dhe dishepujt,Kullën e Rojës të 1 prillit 2010, f. 16-18.) Udhëheqësit fetarë judenj mendonin po ashtu se ishin më të mirë se të tjerët. f (Luka 18:9-12) Jezui e kuptoi se një ambient i tillë mund të ndikonte te mënyra si mendonin apostujt për veten dhe për të tjerët. (Prov. 19:11) Ai ishte i arsyeshëm në atë që priste nga dishepujt dhe tregonte durim kur gabonin. E dinte se donin të bënin të mirën, ndaj me durim i ndihmoi të luftonin krenarinë e ambicien dhe t’i zëvendësonin me dashurinë për të tjerët.

SI TA IMITOJMË SHEMBULLIN E JEZUIT?

15. Ç’mund të mësojmë nga incidenti ku u përfshinë Jakovi dhe Gjoni?

15 Mund të mësojmë shumë nga ky incident ku u përfshinë Jakovi dhe Gjoni. Kërkesa e tyre për vende të nderuara në Mbretëri ishte e gabuar. Por edhe apostujt gabuan që e lejuan atë situatë t’u prishte unitetin. Jezui, ama, i trajtoi të 12 apostujt me dashuri e mirësi. Cili është mësimi për ne? Edhe nëse kemi arsye të zemërohemi nga veprimet e të tjerëve, duhet të kemi kujdes si reagojmë ndaj gabimeve dhe të metave të tyre. Çfarë mund të na ndihmojë? Kur mërzitemi me ndonjë vëlla a motër, mund të pyesim veten: «Pse më mërziti kaq shumë ajo që bëri? Mos po më nxjerr në pah një tipar negativ që duhet ta ndreq? Mos ndoshta vëllai a motra po kalon ndonjë problem? Edhe nëse mendoj se kam të drejtë të mërzitem, a mund të tregoj dashuri altruiste duke e anashkaluar fyerjen?» Kur i trajtojmë të tjerët me dashuri, japim prova se jemi dishepujt e vërtetë të Jezuit.

16. Çfarë mund të mësojmë tjetër nga shembulli i Jezuit?

16 Shembulli i Jezuit na mëson edhe të përpiqemi t’i kuptojmë vëllezërit e motrat. (Prov. 20:5) S’do mend, Jezui mund të lexonte zemrat. Ne nuk i lexojmë dot. Megjithatë duhet t’i tolerojmë gabimet e vëllezërve e motrave. (Efes. 4:1, 2; 1 Pjet. 3:8) Është më e lehtë ta bëjmë këtë nëse mësojmë për mënyrën si janë rritur. Të shqyrtojmë një shembull.

17. Si nxori dobi një mbikëqyrës udhëtues ngaqë e njohu më mirë një vëlla?

17 Një mbikëqyrës udhëtues që shërben në Afrikën Lindore, sjell ndër mend një vëlla që në fillim i dukej i bezdisshëm. Si veproi mbikëqyrësi? Ai thotë: «Në vend që ta shmangia vëllanë, vendosa ta njihja më mirë.» Kështu mbikëqyrësi qarkor mësoi disa gjëra për mënyrën si ishte rritur vëllai, të cilat kishin ndikuar te personaliteti i tij. Mbikëqyrësi thotë më tej: «Pasi kuptova sa shumë kishte luftuar vëllai që të ndryshonte dhe sa kishte ndryshuar që të shkonte mirë me të tjerët, e admirova. U bëmë miq të mirë.» Vërtet, kur përpiqemi t’i kuptojmë vëllezërit e motrat, shpesh bëhet më e lehtë që t’u tregojmë dashuri.

18. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes nëse një bashkadhurues na ka fyer? (Proverbat 26:20)

18 Ka raste kur ndiejmë se duhet të flasim me një bashkadhurues që na ka ofenduar. Para se ta bëjmë këtë, është mirë t’i bëjmë vetes pyetje si këto: «A i di të gjitha faktet?» (Prov. 18:13) «Mos ndoshta më ofendoi pa dashje?» (Ekl. 7:20) «A e kam bërë edhe unë ndonjëherë një gabim të tillë?» (Ekl. 7:21, 22) «Nëse flas me të, mos e bëj më keq se ç’është situatën?» (Lexo Proverbat 26:20.) Nëse mendojmë mirë për këto pyetje, mund të dalim në përfundimin se dashuria për vëllanë ose motrën mund të na shtyjë që thjesht ta anashkalojmë fyerjen.

19. Çfarë je i vendosur të bësh?

19 Si grup, Dëshmitarët e Jehovait po japin prova se janë dishepujt e vërtetë të Jezuit. Si individë, japim prova se jemi dishepuj të vërtetë të Jezuit kur tregojmë dashuri altruiste ndaj vëllezërve e motrave, pavarësisht nga të metat e tyre. Kjo mund t’i ndihmojë edhe të tjerët të dallojnë fenë e vërtetë dhe të bashkohen me ne në adhurimin e Jehovait, Perëndisë së dashurisë. Qofshim të vendosur të vazhdojmë të tregojmë atë dashuri që është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë!

KËNGA 17 «Po, dua!»

a Kur shohin dashurinë e vërtetë mes nesh, shumë njerëz shtyhen të njohin më mirë Jehovain dhe Fjalën e tij. Por, ne nuk jemi të përsosur, ndaj ka raste kur nuk është e lehtë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Le të shqyrtojmë pse është kaq e rëndësishme dashuria dhe si mund ta imitojmë Jezuin kur të tjerët gabojnë.

b Shih librin «Eja e bëhu ithtari im», kap. 17, p. 10-11.

c Shih artikullin «Më në fund, jeta ime ka një qëllim!» në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2012, f. 13-14.

d Shih artikullin «Mendoja se bëja jetë për së mbari», në Kullën e Rojës të 1 majit 2012, f. 18-19.

e Në këtë artikull nuk flitet për mëkatet serioze që duhen trajtuar nga pleqtë, si ato të përmendura te 1 Korintasve 6:9, 10.

f Thuhet se shumë kohë më vonë, një rabi tha: «Në botë ka jo më pak se tridhjetë njerëz po aq të drejtë sa Abrahami. Nëse janë tridhjetë, djali im dhe unë jemi dy prej tyre; nëse janë dhjetë, djali im dhe unë jemi dy prej tyre; nëse janë pesë, djali im dhe unë jemi dy prej tyre; nëse janë dy, është djali im dhe unë; nëse është vetëm një, jam unë.»