ARTIKULLI I STUDIMIT 10

Pse të pagëzohesh?

Pse të pagëzohesh?

«Secili nga ju të pagëzohet.»—VEP. 2:38.

KËNGA 34 Do të jetoj me integritet!

PËRMBLEDHJE a

1-2. Çfarë ndodh zakonisht kur dikush pagëzohet, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

 A KE pasur rastin të shohësh një grup me kandidatë për pagëzim? Ndërsa dëgjon që u përgjigjen «po» dy pyetjeve para pagëzimit, mund të dallosh bindjen e tyre. Sheh familjarët dhe miqtë që u shkëlqejnë sytë. Kur kandidatët dalin nga uji, dëgjon duartrokitjet dhe shikon si u rrezatojnë fytyrat nga gëzimi. Mijëra veta në javë e bëjnë këtë hap duke u pagëzuar si Dëshmitarë të kushtuar të Jehovait.

2 Po ti, a po mendon të pagëzohesh? Nëse po, je një margaritar i çmuar mes kësaj bote të ligë, sepse «po kërkon Jehovain». (Psal. 14:1, 2) Ky artikull është për ty, qofsh i ri a i moshuar. Por, edhe ne që jemi të pagëzuar duam ta forcojmë vendosmërinë për t’i shërbyer përgjithmonë Jehovait. Prandaj, le të shqyrtojmë tri nga arsyet e shumta që kemi për t’i shërbyer Jehovait.

DASHURIA JOTE PËR TË VËRTETËN DHE DREJTËSINË

Për mijëra vjet, Satanai ka shpifur kundër emrit të mirë të Jehovait dhe vazhdon ta bëjë këtë (Shih paragrafët 3-4)

3. Pse shërbëtorët e Jehovait e duan të vërtetën dhe drejtësinë? (Psalmi 119:128, 163)

3 Jehovai i urdhëroi shërbëtorët e tij ‘ta donin të vërtetën’. (Zak. 8:19) Jezui i nxiti dishepujt e tij të kërkonin me ngulm drejtësinë. (Mat. 5:6) Kjo do të thotë se duhet të kemi dëshirë të zjarrtë për të bërë atë që është e drejtë, e mirë dhe e pastër në sytë e Jehovait. A e do të vërtetën dhe drejtësinë? Jemi të sigurt që po. Ti i urren gënjeshtrat dhe çdo gjë të gabuar e të ligë. (Lexo Psalmin 119:128, 163.) Gënjeshtrat pasqyrojnë personalitetin e Satanait, sundimtarit të kësaj bote. (Gjoni 8:44; 12:31) Një nga synimet e tij është të shpifë kundër emrit të shenjtë të Perëndisë Jehova. Satanai ka përhapur mashtrime për Perëndinë tonë që nga rebelimi i Edenit. Ai e paraqiti Jehovain si një Sovran egoist dhe të pandershëm që ua mban të mirën njerëzve. (Zan. 3:1, 4, 5) Sot e kësaj dite, gënjeshtrat e Satanait për Jehovain vazhdojnë të helmojnë mendjen dhe zemrën e njerëzve. E kur ata zgjedhin të mos ‘e duan të vërtetën’, Satanai mund t’i shtyjë të bëjnë lloj-lloj gjërash të padrejta dhe të liga.—Rom. 1:25-31.

4. Si e ka treguar Jehovai se është «Perëndi i së vërtetës»? (Shih edhe figurën.)

4 Jehovai është «Perëndi i së vërtetës» dhe ua mëson pa kursim të vërtetën atyre që e duan. (Psal. 31:5) Kështu u hap sytë dhe i çliron nga gënjeshtrat e Satanait. Gjithashtu, Jehovai i mëson shërbëtorët e tij të jenë të ndershëm dhe të drejtë. Kjo u jep dinjitet dhe paqe të brendshme. (Prov. 13:5, 6) Ndoshta e provove vetë këtë ndihmë nga Jehovai ndërsa studioje Biblën. Mësove se të ndjekësh udhët e Jehovait është zgjedhja më e shkëlqyer jo vetëm për gjithë njerëzimin, por edhe për ty personalisht. (Psal. 77:13) Prandaj, ti do që ta përkrahësh drejtësinë e Perëndisë. (Mat. 6:33) Do që ta mbrosh të vërtetën dhe të ndihmosh të hidhen poshtë shpifjet për Perëndinë tonë, Jehovain. Si mund ta bësh këtë?

5. Si mund ta përkrahësh të vërtetën dhe drejtësinë?

5 Me mënyrën si zgjedh të jetosh, ti mund të thuash: «Unë i hedh poshtë gënjeshtrat e Satanait dhe përkrah të vërtetën. Dëshiroj që Jehovai të jetë Sovrani im dhe të bëj atë që është e drejtë në sytë e tij.» Si mund ta realizosh këtë? Duke ia kushtuar jetën Jehovait në lutje dhe duke e bërë publik kushtimin tënd me anë të pagëzimit. Dashuria për të vërtetën dhe drejtësinë është një motiv i fuqishëm që të pagëzohesh.

DASHURIA JOTE PËR JEZU KRISHTIN

6. Çfarë arsyesh na jep Psalmi 45:4 që ta duam Jezu Krishtin?

6 Pse e do Jezu Krishtin? Disa arsye të forta i gjejmë te Psalmi 45:4. (Lexoje.) Jezui del në mbrojtje të së vërtetës, të përulësisë dhe të drejtësisë. Nëse e do të vërtetën dhe drejtësinë, natyrisht që do edhe Jezu Krishtin. Medito si e mbrojti me guxim Jezui atë që është e vërtetë dhe e drejtë. (Gjoni 18:37) Po si na ndihmon Jezui të përkrahim përulësinë?

7. Cili aspekt i përulësisë së Jezuit të tërheq?

7 Jezui del ‘në mbrojtje të përulësisë’ me anë të shembullit të tij. Ai ia jep gjithë lavdinë Atit të tij e nuk e merr asnjëherë për vete. (Mar. 10:17, 18; Gjoni 5:19) Si ndikon te ti përulësia e Jezuit? A nuk të nxit ta duash Birin e Perëndisë dhe ta imitosh? Patjetër që po. Pse është i përulur Jezui? Sepse do dhe imiton Atin e tij, i cili është i përulur. (Psal. 18:35; Hebr. 1:3) A nuk të bëjnë për vete cilësitë e Jezuit, që pasqyrojnë në mënyrë të përsosur personalitetin e Jehovait?

8. Pse e duam Mbretin tonë, Jezuin?

8 E duam Jezuin sepse ai është Mbreti ideal. Vetë Jehovai e ka stërvitur Birin e tij dhe e ka caktuar të qeverisë mbi njerëzimin. (Isa. 50:4, 5) Veç kësaj, mendo edhe për dashurinë vetëmohuese që ka treguar Jezui. (Gjoni 13:1) Si Mbreti yt, e meriton plotësisht dashurinë tënde. Jezui tha se ata që e duan vërtet—e që i quan miq—e tregojnë dashurinë duke iu bindur urdhërimeve të tij. (Gjoni 14:15; 15:14, 15) Çfarë privilegji të jesh mik i Birit të Jehovait!

9. Si ngjason pagëzimi i të krishterëve me pagëzimin e Krishtit?

9 Një nga urdhërimet e Jezuit është që dishepujt e tij të pagëzohen. (Mat. 28:19, 20) Vetë ai la shembullin duke u pagëzuar. Në disa aspekte, pagëzimi i Jezuit ndryshon nga ai i dishepujve të tij. (Shih kutinë « Si ndryshon pagëzimi i Jezuit nga pagëzimi i dishepujve të tij?») Në aspekte të tjera është i ngjashëm. Kur u pagëzua, Jezui u ofrua që të bënte vullnetin e Atit të tij. (Hebr. 10:7) Edhe dishepujt e Krishtit pagëzohen që të tregojnë publikisht se ia kanë kushtuar jetën Perëndisë Jehova. Tani qendra e jetës së tyre është të bëjnë vullnetin e Jehovait, jo vullnetin e vet. Në këtë mënyrë ndjekin shembullin e Zotërisë së tyre.

10. Pse të motivon të pagëzohesh dashuria për Jezuin?

10 Ti beson se Jezui është Biri i vetëmlindur i Jehovait dhe se është Mbreti që ka caktuar Perëndia për të na qeverisur. E di se është i përulur dhe imiton në mënyrë të përsosur Atin e tij. Ke mësuar se ushqeu të uriturit, u dha zemër të shkurajuarve, e madje shëroi të sëmurët. (Mat. 14:14-21) Ke parë si e drejton kongregacionin e tij sot. (Mat. 23:10) Gjithashtu e di se në të ardhmen, si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, ka për të bërë gjëra ku e ku më të mrekullueshme. Si mund të tregosh se e do Jezuin? Duke ndjekur shembullin e tij. (Gjoni 14:21) Një nga hapat e parë është t’i kushtosh jetën Jehovait dhe të pagëzohesh.

DASHURIA JOTE PËR PERËNDINË JEHOVA

11. Cila është arsyeja kryesore që të nxit të pagëzohesh, dhe pse?

11 Cila është arsyeja kryesore që të nxit të pagëzohesh? Jezui tregoi cili është urdhërimi më i madh i Perëndisë, kur tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Mar. 12:30) A është kaq e thellë dashuria jote për Perëndinë?

Jehovai është Burimi i çdo gjëje të mirë që gëzon sot e që do të gëzosh në të ardhmen (Shih paragrafët 12-13)

12. Pse e do Jehovain? (Shih edhe figurën.)

12 Ka plot arsye për ta dashur Jehovain. Për shembull, ke mësuar se ai është «burimi i jetës» e Dhënësi i ‘çdo dhuratë të mirë dhe të përsosur’. (Psal. 36:9; Jak. 1:17) Çdo gjë e mirë në jetë na vjen nga Perëndia ynë i dashur e bujar.

13. Pse shpërblesa është një dhuratë e çmuar?

13 Shpërblesa është një dhuratë e mrekullueshme nga Jehovai. Pse e themi këtë? Mendo pak për lidhjen e fortë mes Jehovait dhe Birit të tij. Jezui tha: «Ati më do» dhe «unë e dua Atin». (Gjoni 10:17; 14:31) Gjatë miliarda viteve që kaluan me njëri-tjetrin, lidhja e tyre u bë gjithnjë e më e ngushtë. (Prov. 8:22, 23, 30) Mendo pak sa e thellë ishte dhimbja e Perëndisë kur lejoi që Biri i tij të vuante dhe të vdiste. Jehovai e do kaq shumë njerëzimin—ku përfshihesh edhe ti—sa ishte i gatshëm të jepte Birin e vet të dashur si flijim, që ti dhe të tjerë të jetoni përgjithmonë. (Gjoni 3:16; Gal. 2:20) Nuk ka arsye më të fortë për ta dashur me gjithë zemër Perëndinë.

14. Cili është synimi më i shkëlqyer që mund të ndjekësh?

14 Ndërsa ke mësuar më shumë për Jehovain, dashuria jote për të është bërë gjithnjë e më e thellë. E natyrisht që dëshiron të afrohesh me Jehovain sot e gjatë gjithë përjetësisë. Kjo është e mundur. Me dashuri, ai të fton t’ia gëzosh zemrën. (Prov. 23:15, 16) Këtë mund ta bësh jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Me mënyrën si jeton, do të tregosh se e do vërtet Jehovain. (1 Gjon. 5:3) Ky është synimi më i shkëlqyer që mund të ndjekësh në jetë.

15. Si mund ta shfaqësh dashurinë për Jehovain?

15 Si mund ta shfaqësh dashurinë për Jehovain? Së pari, duke bërë një lutje të veçantë ku ia kushton jetën të vetmit Perëndi të vërtetë. (Psal. 40:8) Së dyti, duke e bërë publik kushtimin tënd me anë të pagëzimit. Siç e kemi parë në këtë artikull, kjo është një pikë kthese në jetën tënde. Në atë moment të lumtur nis një jetë të re, pasi nuk jeton më për veten, por për Jehovain. (Rom. 14:8; 1 Pjet. 4:1, 2) Mbase ky të duket një hap vendimtar, dhe ashtu është. Ama të hap rrugën drejt jetës më fantastike që ekziston. Si?

16. Në harmoni me Psalmin 41:12, si do t’i shpërblejë Jehovai ata që ia kushtojnë jetën e i shërbejnë?

16 Jehovai është Personi më bujar në univers. Çfarëdo që t’i japësh, Ai të jep gjithnjë shumë më tepër. (Mar. 10:29, 30) Jehovai do të të dhurojë jetën më të bukur, më shpërblyese dhe më domethënëse, edhe sot në këtë botë të ligë. Pagëzimi është veçse fillimi i këtij rrugëtimi që s’ka pse të marrë fund kurrë. Ti mund të vazhdosh t’i shërbesh përgjithmonë Atit tënd të dashur. Dashuria mes teje dhe Jehovait do të rritet dita-ditës, e ti ke për të jetuar pafundësisht, njësoj si Ati yt.—Lexo Psalmin 41:12.

17. Ç’mund t’i japësh Pronarit të qiellit dhe të tokës?

17 Kur i kushton jetën Jehovait dhe pagëzohesh, ke privilegjin t’i dhurosh Atit tënd diçka tepër të çmuar. Ai të ka dhënë çdo gjë të mirë, çdo moment të lumtur që ke shijuar në jetë. Për t’i treguar mirënjohjen, mund t’i japësh Pronarit të qiellit dhe të tokës diçka që nuk e ka—shërbimin tënd plot përkushtim, të motivuar nga zemra. (Jobi 1:8; 41:11; Prov. 27:11) E ku ka mënyrë më të shkëlqyer për ta përdorur jetën?! Pa diskutim, dashuria jote për Jehovain është motivi kryesor që të nxit të pagëzohesh.

PSE TË PRESËSH?!

18. Cilat pyetje mund t’i bësh vetes?

18 Atëherë, si do t’i përgjigjesh pyetjes: a do të pagëzohesh? Vetëm ti mund t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Por një gjë që mund të të ndihmojë, është të pyesësh veten: «Pse të pres?» (Vep. 8:36) Kujto tri arsyet që kemi shqyrtuar. E para, dashuria jote për të vërtetën dhe për drejtësinë. Pyet veten: «A dëshiroj të shoh me sytë e mi ditën kur të gjithë do të thonë të vërtetën dhe do të bëjnë atë që është e drejtë?» E dyta, dashuria jote për Jezu Krishtin. Pyet veten: «A dëshiroj që Biri i Perëndisë të jetë Mbreti im dhe të imitoj shembullin e tij?» Arsyeja e tretë e më e rëndësishme, dashuria jote për Jehovain. Pyet veten: «A dua t’ia gëzoj zemrën Perëndisë tim duke i shërbyer?» Nëse u përgjigjesh «po» këtyre pyetjeve, atëherë pse të mos pagëzohesh? Pse të presësh?—Vep. 16:33.

19. Pse nuk duhet të ngurrosh që të pagëzohesh? Ilustrojeni. (Gjoni 4:34)

19 Nëse ngurron të pagëzohesh, mendo pak për këtë krahasim të Jezuit. (Lexo Gjonin 4:34.) Jezui tha se të bënte vullnetin e Atit të tij ishte si ushqim për të. Pse? Ushqimi na bën mirë. Jezui e dinte se çdo gjë që na kërkon Jehovai është në të mirën tonë. Jehovai nuk dëshiron të bëjmë diçka që do të na dëmtonte. A është vullneti i Jehovait që ti të pagëzohesh? Po. (Vep. 2:38) Prandaj të jesh i sigurt se duke iu bindur urdhrit për t’u pagëzuar, do të nxjerrësh dobi. Ti nuk do të ngurroje të shijoje gatimin më të shijshëm që ekziston. Atëherë, pse të ngurrosh të pagëzohesh?!

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

20 Pse të presësh? Shumë veta mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje duke thënë: «Nuk jam gati akoma.» Vërtet, vendimi për t’i kushtuar jetën Jehovait dhe për t’u pagëzuar është vendimi më i rëndësishëm i jetës tënde. Prandaj duhet ta peshosh mirë dhe duhen kohë e përpjekje të zellshme që të përgatitesh. Por nëse dëshiron me gjithë zemër ta hedhësh këtë hap, çfarë mund të bësh tani për t’u përgatitur? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta shohim në artikullin vijues.

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain—Gjithçka që zemra do!

a Pagëzimi është një hap thelbësor për çdo student të Biblës. Çfarë mund ta motivojë një student të pagëzohet? Me një fjalë, dashuria. Po dashuria për çfarë dhe për kë? Në këtë artikull do të marrim përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe do të shohim çfarë jete të mrekullueshme mund të kemi po të pagëzohemi.