ARTIKULLI I STUDIMIT 11

Si të përgatitesh për pagëzim?

Si të përgatitesh për pagëzim?

«Çfarë më pengon të pagëzohem?!»—VEP. 8:36.

KËNGA 50 Lutja e kushtimit

PËRMBLEDHJE a

Anembanë botës, të rinj e të moshuar po bëjnë përparim dhe po pagëzohen (Shih paragrafët 1-2)

1-2. Pse nuk duhet të shkurajohesh nëse nuk je akoma gati për t’u pagëzuar? (Shih figurën e kopertinës.)

 NËSE dëshiron të pagëzohesh, ke vënë një synim të mrekullueshëm. A je gati ta hedhësh këtë hap që tani? Nëse mendon se po dhe pleqtë janë dakord, mos ngurro të pagëzohesh sa më shpejt. Të pret një jetë shpërblyese në shërbim të Jehovait.

2 Apo ndoshta të kanë thënë ose e kupton vetë se ke nevojë të bësh më shumë përparim para se të pagëzohesh? Nëse po, mos u shkurajo. Ti mund të përparosh drejt këtij hapi të rëndësishëm, qofsh i ri a i moshuar.

«ÇFARË MË PENGON?!»

3. Cilën pyetje i bëri një zyrtar etiopas Filipit, dhe cila pyetje lind? (Veprat 8:36, 38)

3 Lexo Veprat 8:36, 38. Një zyrtar oborri nga Etiopia pyeti ungjillëzuesin Filip: «Çfarë më pengon të pagëzohem?!» Ai etiopas dëshironte të pagëzohej. Por, a ishte vërtet gati për ta hedhur këtë hap të rëndësishëm?

Zyrtari etiopas ishte i vendosur të vazhdonte të mësonte për Jehovain (Shih paragrafin 4)

4. Si e tregoi zyrtari etiopas se ishte i vendosur të mësonte më shumë?

4 Ai etiopas «kishte shkuar në Jerusalem për të adhuruar Perëndinë». (Vep. 8:27) Prandaj duhej të ishte një prozelit jude, pra kishte përqafuar judaizmin. Pa dyshim që kishte mësuar për Jehovain nga Shkrimet Hebraike. Megjithatë, ishte i etur të mësonte edhe më shumë. Në fakt, çfarë po bënte ai zyrtar kur e takoi Filipi në rrugë? Ishte zhytur në leximin e një rrotulle të profetit Isaia. (Vep. 8:28) Ajo përmbante të vërteta të thella të Biblës. Zyrtari etiopas nuk mjaftohej thjesht me disa mësime bazë; ishte i etur të mësonte më shumë.

5. Çfarë e nxiti të bënte etiopasin ajo që mësoi?

5 Ai burrë ishte një zyrtar i lartë në shërbim të kandakes, mbretëreshës së etiopasve; ajo «e kishte emëruar mbi gjithë thesarin e saj». (Vep. 8:27) Ndaj duhet të ketë qenë goxha i zënë nga përgjegjësitë e shumta. Prapëseprapë, linte kohë që të adhuronte Jehovain. Ai nuk kënaqej vetëm duke e mësuar të vërtetën, por e zbatonte atë që mësonte. Ja pse bëri gjithë atë udhëtim nga Etiopia për në Jerusalem që të adhuronte Jehovain në tempull. Ai udhëtim duhet të ketë qenë goxha i gjatë dhe i kushtueshëm, por etiopasi nuk kursehej aspak kur bëhej fjalë për adhurimin e Jehovait.

6-7. Si e thelloi dashurinë për Jehovain zyrtari etiopas?

6 Etiopasi mësoi nga Filipi disa të vërteta të reja jetësore, siç ishte identiteti i Mesisë. (Vep. 8:34, 35) Me siguri u prek kur mësoi çfarë kishte bërë Jezui për të. Si do të reagonte tani? Mund të vazhdonte thjesht siç ishte, një prozelit jude i respektuar. Por në vend të kësaj, iu thellua dashuria për Jehovain dhe për Birin e tij. Kjo e nxiti të merrte një vendim që ia ndryshoi jetën rrënjësisht: të pagëzohej si dishepull i Jezu Krishtit. Kur e kuptoi se etiopasi ishte gati, Filipi e pagëzoi.

7 Edhe ti mund të përgatitesh për pagëzim duke ndjekur shembullin e etiopasit. Pastaj mund të thuash me plot bindje si ai: «Çfarë më pengon të pagëzohem?!» Të shohim tani si mund t’i bësh të njëjtët hapa që bëri etiopasi: vazhdoi të mësonte, e zbatonte atë që mësonte dhe vazhdoi të thellonte dashurinë për Perëndinë.

VAZHDO TË MËSOSH

8. Për çfarë të nxit Gjoni 17:3?

8 Lexo Gjonin 17:3 dhe shënimin. A të nxitën këto fjalë të Jezuit të vendosje të studioje Biblën? Kështu ka ndodhur me shumë prej nesh. Por, a nuk na nxitin këto fjalë edhe të vazhdojmë të marrim njohuri? Po. Ne ‘do të marrim vazhdimisht njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë’ e kjo s’ka për marrë fund kurrë. (Ekl. 3:11) Do të vazhdojmë ta njohim Jehovain për gjithë përjetësinë. E sa më shumë të mësojmë për Jehovain, aq më shumë do të afrohemi me të.—Psal. 73:28.

9. Çfarë duhet të bëjmë pasi mësojmë «gjërat elementare» të së vërtetës?

9 Natyrisht, që të njohësh Jehovain, duhet të fillosh nga mësimet themelore. Në letrën që u shkroi hebrenjve, apostulli Pavël i quajti këto mësime, «gjërat elementare». Ai nuk po ia ulte vlerën ‘doktrinës fillestare’, përkundrazi po e krahasonte me qumështin që ushqen një të sapolindur. (Hebr. 5:12; 6:1) Por njëkohësisht, Pavli i nxiti të gjithë të krishterët të mos mjaftoheshin vetëm me ato mësime themelore, por të zhyteshin te të vërtetat më të thella të Fjalës së Perëndisë. A ke zhvilluar etje për mësimet më të thella të Biblës? A dëshiron të vazhdosh të rritesh, duke mësuar pareshtur për Jehovain dhe qëllimet e tij?

10. Pse studimi mund të jetë sfidë për disa?

10 Mirëpo, për shumë prej nesh studimi është sfidë. Po për ty? Kur ishe në shkollë, a mësove të lexoje mirë dhe të bëje një studim që të sjell dobi? A kënaqeshe kur studioje dhe mësoje gjëra të reja? Apo arrite në përfundimin që studimi nuk është pika jote e fortë? Nëse po, nuk je i vetmi. Megjithatë, Jehovai mund të të ndihmojë. Ai është i përsosur dhe është Mësuesi më i mirë që ekziston.

11. Si e tregon Jehovai se është ‘Mësuesi i Madh’?

11 Jehovai thotë se është «Mësuesi yt i Madh». (Isa. 30:20, 21) Ai është Mësues i duruar, i dashur dhe mirëkuptues. Jehovai kërkon të gjejë të mirat te nxënësit e tij. (Psal. 130:3) E asnjëherë nuk pret nga ti më shumë nga ç’mund të bësh. Mos harro se ai ka projektuar trurin tënd, këtë dhuratë të mrekullueshme. (Psal. 139:14) Ne kemi një dëshirë të natyrshme për të mësuar. Krijuesi ynë do që të vazhdojmë të mësojmë përgjithmonë—dhe të kënaqemi ndërsa e bëjmë këtë. Prandaj është e mençur të ‘ushqesh një dëshirë të zjarrtë’ për të vërtetat e Biblës qysh tani. (1 Pjet. 2:2) Vër synime që mund t’i arrish dhe përmbaju programit për leximin e studimin e Biblës. (Jos. 1:8) Falë bekimit të Jehovait, do të kënaqesh gjithnjë e më shumë ndërsa lexon e mëson për të.

12. Pse duhet ta studiojmë jetën dhe shërbimin e Jezuit?

12 Kushtoji kohë rregullisht meditimit për jetën dhe shërbimin e Jezuit. Çelësi për t’i shërbyer Jehovait është të ecim në gjurmët e Jezuit, sidomos në këto kohë të vështira. (1 Pjet. 2:21) Ai foli hapur për sfidat që do të hasnin dishepujt. (Luka 14:27, 28) Megjithatë ishte i bindur se dishepujt e tij të vërtetë mund t’ia dilnin mbanë, njësoj si ai. (Gjoni 16:33) Studio hollësitë e jetës së Jezuit dhe vër synime që ta imitosh në jetën e përditshme.

13. Për çfarë duhet t’i lutesh vazhdimisht Jehovait, dhe pse?

13 Gjithsesi, vetëm njohuria nuk mjafton. Ajo ka vlerë ngaqë të ndihmon të mësosh më shumë për Jehovain dhe të zhvillosh cilësi si dashuria për të dhe besimi tek ai. (1 Kor. 8:1-3) Prandaj, ndërsa vazhdon të mësosh, kërkoji Jehovait të të ndihmojë ta forcosh besimin. (Luka 17:5) Ai u përgjigjet me bujari lutjeve të tilla. Besimi i vërtetë i bazuar në njohurinë e saktë për Perëndinë, do të të ndihmojë të vazhdosh të zbatosh atë që mëson.—Jak. 2:26.

VAZHDO TA ZBATOSH ATË QË MËSON

Para Përmbytjes, Noeja dhe familja e tij e zbatuan me besnikëri atë që mësuan (Shih paragrafin 14)

14. Si e theksoi apostulli Pjetër sa e rëndësishme është ta zbatosh atë që mëson? (Shih edhe figurën.)

14 Apostulli Pjetër theksoi sa rëndësi ka që dishepujt e Krishtit të vazhdojnë ta zbatojnë atë që mësojnë. Ai përmendi historinë e Noesë. Jehovai i tha Noesë se do të shfaroste gjithë njerëzit e ligj të asaj kohe me anë të një përmbytjeje. Thjesht dijenia se do të vinte një përmbytje, nuk do t’ia shpëtonte jetën Noesë dhe familjes së tij. Vër re se kur foli për periudhën para Përmbytjes, Pjetri tha se atëherë «ndërtohej arka». (1 Pjet. 3:20) Pra, Noeja dhe familja e tij e zbatuan atë që mësuan nga Perëndia duke ndërtuar një arkë, një strukturë gjigante. (Hebr. 11:7) Pastaj Pjetri e krahasoi atë që bëri Noeja me pagëzimin, kur tha: «Pagëzimi, që përkon me këtë ngjarje, tani po ju shpëton edhe ju.» (1 Pjet. 3:21) Në njëfarë mënyrë, puna që po bën sot për t’u përgatitur për pagëzim mund të krahasohet me punën që bënë vite me radhë Noeja dhe familja e tij për të ndërtuar arkën. Po çfarë pune duhet të bësh që të përgatitesh për pagëzim?

15. Çfarë përfshin pendimi i sinqertë?

15 Një nga gjërat e para që duhet të bëjmë është të pendohemi sinqerisht për mëkatet tona. (Vep. 2:37, 38) Pendimi nga zemra të nxit të bësh ndryshimet e nevojshme. A ke flakur tej çdo praktikë që e lëndon Jehovain, si imoralitetin, pirjen e duhanit ose të folurin e pistë a sharjet? (1 Kor. 6:9, 10; 2 Kor. 7:1; Efes. 4:29) Nëse jo, vazhdo të përpiqesh për të bërë ndryshime në jetë. Bisedo me mësuesin tënd të Biblës ose kërkoju ndihmë e drejtim pleqve të kongregacionit. Nëse je i ri dhe jeton ende me prindërit, kërkoju vazhdimisht ndihmë për të hequr ndonjë ves të keq që të pengon të pagëzohesh.

16. Çfarë përfshin një program i mirë teokratik?

16 Gjithashtu është e rëndësishme të kesh një program të mirë teokratik. Kjo përfshin të ndjekësh mbledhjet dhe të marrësh pjesë në to. (Hebr. 10:24, 25) E pasi të kualifikohesh për të dalë në shërbim, bëje edhe shërbimin pjesë të programit tënd. Sa më shumë të marrësh pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese, aq më shumë do ta shijosh. (2 Tim. 4:5) Nëse je i ri dhe po jeton me prindërit, pyet veten: «A kam nevojë të më kujtojnë prindërit të ndjek mbledhjet ose të dal në shërbim? Apo e marr iniciativën vetë?» Nëse i bën këto gjëra me iniciativën tënde, po tregon se ke besim te Perëndia Jehova dhe se e do e i je mirënjohës. Këto dhurata që i bën Perëndisë tregojnë se je ‘i përkushtuar ndaj tij në çdo gjë që bën’. (2 Pjet. 3:11; Hebr. 13:15) Të gjitha dhuratat tona nga zemra, pa detyrim, ia kënaqin shpirtin Perëndisë. (Krahaso 2 Korintasve 9:7.) Këto gjëra i bëjmë sepse ndihemi të lumtur kur i japim më të mirën Jehovait.

VAZHDO TA THELLOSH DASHURINË PËR JEHOVAIN

17-18. Cila cilësi jetësore do të të ndihmojë të përparosh drejt pagëzimit, dhe pse? (Proverbat 3:3-6)

17 Ndërsa vazhdon të përparosh drejt pagëzimit, do të hasësh sprova. Disa mund të të tallin për shkak të besimit tënd, madje edhe mund të të kundërshtojnë ose të të përndjekin. (2 Tim. 3:12) Ndërsa përpiqesh të heqësh ndonjë zakon të gabuar, hera-herës mund të biesh prapë në atë ves. Ose mund të humbasësh durimin dhe të mërzitesh, sepse duket një synim i paarritshëm. Çfarë do të të ndihmojë të mos heqësh dorë? Një cilësi jetësore—dashuria për Jehovain.

18 Dashuria për Jehovain është një cilësi e bukur, cilësia më e shkëlqyer që ke. (Lexo Proverbat 3:3-6.) Dashuria e fortë për Perëndinë mund të të ndihmojë t’u bësh ballë vështirësive të jetës. Bibla flet shpesh për dashurinë besnike të Jehovait ndaj shërbëtorëve të tij. Kjo dashuri është një lidhje e fortë që zgjat përjetë, që nuk shuhet kurrë. (Psal. 100:5) Ti je krijuar sipas imazhit të Perëndisë. (Zan. 1:26) Si mund ta pasqyrosh, pra, këtë lloj dashurie?

Mund t’ia shprehësh mirënjohjen Jehovait çdo ditë (Shih paragrafin 19) b

19. Si mund ta thellosh mirënjohjen për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty? (Galatasve 2:20)

19 Një mënyrë është duke treguar mirënjohje. (1 Sel. 5:18) Çdo ditë pyet veten: «Si më ka shfaqur dashuri Jehovai?» Pastaj sigurohu që ta falënderosh Jehovain në lutje, duke përmendur gjëra specifike që ka bërë për ty. Gjërat e mira që bën Jehovai konsideroji si diçka që e bën për ty personalisht, ashtu siç i konsideronte apostulli Pavël. (Lexo Galatasve 2:20.) Pyet veten: «A dua t’ia shpreh mirënjohjen Jehovait duke treguar edhe unë dashuri për të?» Dashuria për Jehovain do të të ndihmojë të vazhdosh t’u rezistosh tundimeve dhe të përballosh sprovat. Do të të motivojë edhe të ndjekësh me besnikëri një program teokratik, duke treguar dashuri ditë pas dite për Atin tënd.

20. Çfarë përfshin t’i kushtosh jetën Jehovait, dhe sa i rëndësishëm është ky vendim?

20 Me kalimin e kohës, dashuria për Jehovain do të të nxitë t’i bësh një lutje të veçantë ku ia kushton jetën. Mos harro se pasi i kushton jetën Jehovait, ke një perspektivë të mrekullueshme: do t’i përkasësh përgjithmonë atij. Betimi i kushtimit që i bën Jehovait është më i fortë se dallgët e jetës dhe zgjat përjetësisht. Ai bëhet vetëm një herë në jetë. Është e vërtetë që kushtimi ndaj Jehovait është një hap serioz. Por mendo për këtë: në jetë ke për të marrë plot vendime, e disa prej tyre do të jenë shumë të mira. Ama, vendimi për t’ia kushtuar jetën Jehovait është më i miri nga të gjithë. (Psal. 50:14) Satanai do të përpiqet të ta dobësojë dashurinë për Atin tënd, me shpresën që të të thyejë integritetin. Mos e lejo kurrë të fitojë! (Jobi 27:5) Dashuria e fortë për Jehovain do të të ndihmojë ta mbash betimin e kushtimit dhe të kesh një miqësi gjithnjë e më të ngushtë me Atin tënd qiellor.

21. Pse mund të themi që pagëzimi është vetëm fillimi?

21 Pasi t’ia kushtosh jetën Jehovait, fol me pleqtë e kongregacionit që të hedhësh hapin tjetër të rëndësishëm. Por mbaj parasysh që pagëzimi është vetëm fillimi i një jete pa fund në shërbim të Jehovait. Prandaj vazhdo ta thellosh dashurinë për Atin tënd. Vër synime që ta forcosh ditë pas dite dashurinë për të. Kështu do të përparosh drejt pagëzimit. Çfarë dite e paharrueshme ka për të qenë ajo! Ama, pagëzimi është vetëm fillimi. Urojmë ta forcosh gjatë gjithë përjetësisë dashurinë për Jehovain dhe për Birin e tij!

KËNGA 135 Ftesa e përzemërt e Jehovait: «Ji i mençur, biri im!»

a Që të përparojmë drejt pagëzimit, duhet të kemi motivin e duhur. Duhet edhe të hedhim hapat e duhur. Me anë të shembullit të një zyrtari oborri nga Etiopia, do të shohim çfarë hapash duhet të bëjë një student i Biblës që të kualifikohet për t’u pagëzuar.

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e re i shpreh mirënjohjen Jehovait në lutje për gjërat që i ka dhuruar.