ARTIKULLI I STUDIMIT 13

KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!

Merr zemër se Jehovai të miraton

Merr zemër se Jehovai të miraton

«Unë të kam miratuar.»LUKA 3:22.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si t’i mposhtësh dyshimet nëse ke miratimin e Jehovait.

1. Cilat ndjenja i mundojnë disa shërbëtorë besnikë të Jehovait?

 SA NA e ngroh zemrën siguria se kemi miratimin e Jehovait si popull! Bibla thotë: «Jehovait i gëzon zemra për popullin e tij.» (Psal. 149:4) Megjithatë, ndonjëherë disa shkurajohen aq shumë, sa nisin të dyshojnë: «Po mua, a më miraton Jehovai?» Mjaft adhurues besnikë të Jehovait në lashtësi patën momente kur i mundonin dyshime të tilla.—1 Sam. 1:6-10; Jobi 29:2, 4; Psal. 51:11.

2. Kë miraton Jehovai?

2 Bibla e tregon qartë se ndonëse jemi njerëz të papërsosur, mund ta fitojmë miratimin e Jehovait. Në ç’mënyrë? Duke treguar besim te Jezu Krishti dhe duke u pagëzuar. (Gjoni 3:16) Kështu tregojmë para të tjerëve se jemi penduar për mëkatet tona dhe se i kemi premtuar Perëndisë që do të bëjmë vullnetin e tij. (Vep. 2:38; 3:19) Jehovait i gëzon zemra kur hedhim këta hapa për të pasur miqësi të ngushtë me të. Për sa kohë bëjmë çmos të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë, Jehovai na miraton dhe na konsideron miqtë e tij të ngushtë.—Psal. 25:14.

3. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Por, pse ndonjëherë disa ndihen sikur Perëndia nuk i miraton? Si na e shpreh Jehovai miratimin e tij? Si mund ta forcojmë sigurinë se Perëndia na miraton?

PSE DISA MUND TË NDIHEN SIKUR JEHOVAI NUK I MIRATON?

4-5. Për çfarë mund të jemi të sigurt, edhe nëse ndihemi të pavlerë?

4 Mjaft prej nesh kanë luftuar me ndjenjat e pavlefshmërisë që në fëmijëri. (Psal. 88:15) Një vëlla që quhet Adrian, thotë: «Jam ndier gjithmonë i pavlerë. Kujtoj se kur isha i vogël, lutesha që familja ime të jetonte në Parajsë, por për vete mendoja se nuk isha aq i mirë sa të jetoja atje.» Toni, që nuk u rrit në një familje Dëshmitarësh, shprehet: «Prindërit nuk më thanë kurrë se më donin a se ishin krenarë për mua. Mesazhi ishte i qartë: asnjëherë nuk isha në lartësinë e duhur.»

5 Nëse nganjëherë luftojmë me ndjenjat e pavlefshmërisë, të mos harrojmë se ne na ka tërhequr vetë Jehovai. (Gjoni 6:44) Ai sheh cilësitë e mira që ndoshta nuk i shohim te vetja dhe na e njeh zemrën. (1 Sam. 16:7; 2 Kron. 6:30) Prandaj mund t’i besojmë kur na thotë se jemi të çmuar për të.—1 Gjon. 3:19, 20.

6. Si ndihej apostulli Pavël për mëkatet e së kaluarës?

6 Para se të njihnin të vërtetën, disa prej nesh kanë bërë gjëra për të cilat ndoshta i mundojnë ende ndjenja faji. (1 Pjet. 4:3) Edhe vëllezër e motra besnikë luftojnë me prirje mëkatare. Po ty, a të dënon zemra? Nëse po, mund të të ngushëllojë fakti se edhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait kanë luftuar me ndjenja të ngjashme. Për shembull, apostulli Pavël ndihej i mjerë kur mendonte për papërsosmëritë e tij. (Rom. 7:24) Patjetër që Pavli ishte penduar për mëkatet e tij dhe ishte pagëzuar. Prapëseprapë, ai e quajti veten «më i vogli i apostujve» dhe «më famëkeqi» ndër mëkatarët.—1 Kor. 15:9; 1 Tim. 1:15.

7. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend për gabimet e së kaluarës?

7 Ati ynë qiellor na ka premtuar se do të na falë në qoftë se pendohemi. (Psal. 86:5) Prandaj, nëse na vjen vërtet keq për gabimet tona, mund t’i besojmë premtimit të tij se na ka falur.—Kolos. 2:13.

8-9. Si mund ta mposhtim ndjenjën se s’bëjmë dot kurrë aq sa duhet për ta kënaqur Jehovain?

8 Secili nga ne dëshiron të japë më të mirën në shërbim të Jehovait. Megjithatë, disa mund të ndihen sikur s’mund të bëjnë dot kurrë aq sa duhet për të fituar miratimin e tij. Një motër që quhet Amanda, thotë: «Zakonisht mendoj se për t’i dhënë më të mirën Jehovait, duhet të bëj vazhdimisht më shumë. Shpesh pres nga vetja më tepër se ç’mund të jap. E kur nuk ia dal, mendoj se Jehovai është po aq i zhgënjyer me mua sa ç’jam unë me veten.»

9 Si mund ta mposhtim ndjenjën se s’bëjmë dot kurrë aq sa duhet për ta kënaqur Jehovain? Të kujtojmë se Jehovai nuk është i ngurtë ose i paarsyeshëm. Ai nuk pret asnjëherë nga ne më tepër se ç’mundemi. Jehovai çmon çdo gjë që bëjmë për të, për sa kohë që është më e mira jonë. Gjithashtu të mendojmë për personazhe nga Bibla që i shërbyen me gjithë shpirt Jehovait. Për shembull, Pavli i shërbeu me zell Jehovait për vite të tëra. Ai udhëtoi mijëra kilometra e formoi shumë kongregacione. Megjithatë, mos vallë e humbi miratimin e Perëndisë kur rrethanat e pengonin të bënte aq sa më parë në veprën e predikimit? Aspak. Pavli vazhdoi të bënte atë që mundej, dhe Jehovai e bekoi. (Vep. 28:30, 31) Edhe ajo që mund t’i japim ne Jehovait ka të ngjarë të ndryshojë. Megjithatë, gjëja që ka vërtet rëndësi për të është motivi pse i shërbejmë. Le të shqyrtojmë disa mënyra si na e shpreh Jehovai miratimin e tij.

SI NA E SHPREH JEHOVAI MIRATIMIN E TIJ?

10. Si mund «ta dëgjojmë» Jehovain tek na shpreh miratimin e tij? (Gjoni 16:27)

10 Me anë të Biblës. Jehovait i pëlqen shumë t’u shprehë miratimin dhe dashurinë atyre që i ka për zemër. Në Shkrime tregohen dy raste kur i tha Jezuit se ishte Biri i Tij i dashur, që e miratonte. (Mat. 3:17; 17:5) A do të të pëlqente ta dëgjoje Jehovain tek të siguron se ke miratimin e tij? Sot Jehovai nuk na flet nga qielli, por përmes faqeve të Fjalës së tij. Mund «ta dëgjojmë» Jehovain që na thotë se na miraton kur lexojmë fjalët e Jezuit tek ungjijtë. (Lexo Gjonin 16:27.) Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij. Ndaj kur lexojmë se Jezui u shprehte miratimin e tij dishepujve të papërsosur por besnikë, mund të përfytyrojmë që Jehovai po na i thotë ne ato fjalë.—Gjoni 15:9, 15.

Jehovai na e shpreh miratimin në shumë mënyra (Shih paragrafin 10)


11. Pse sprovat nuk tregojnë se kemi humbur miratimin e Jehovait? (Jakovi 1:12)

11 Me anë të veprimeve. Jehovai mezi pret të na bëhet krah, si për shembull duke na siguruar gjërat e nevojshme materiale. Por ndonjëherë ai mund të lejojë të kalojmë vështirësi, siç ndodhi me Jobin e drejtë. (Jobi 1:8-11) Sprovat nuk tregojnë se kemi humbur miratimin e Perëndisë. Përkundrazi, na japin mundësi për të provuar sa fort e duam dhe sa shumë i besojmë Jehovait. (Lexo Jakovin 1:12.) Gjithashtu në sprova ndiejmë si kujdeset me dashuri për ne e si na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri.

12. Çfarë mund të mësojmë nga rasti i Dimitrit?

12 Të shohim çfarë i ndodhi Dimitrit, një vëllai në Azi. Ai humbi punën dhe për shumë muaj nuk po gjente dot një punë tjetër. Prandaj vendosi të kalonte më shumë kohë në veprën e predikimit, duke treguar kështu besim te Jehovai. Kaluan muaj dhe Dimitri ende s’po gjente punë. Pastaj u sëmur aq rëndë, sa u detyrua të zinte krevatin. Dimitri ndihej i pavlerë si bashkëshort e si baba dhe dyshonte se mos kishte humbur miratimin e Jehovait. Një mbrëmje e bija shtypi në një fletë fjalët e Isaisë 30:15: «Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.» Ia çoi te koka e krevatit dhe i tha: «Babi, kur të jesh i mërzitur, kujto fjalët e këtij shkrimi.» Dimitri kuptoi se, falë Jehovait, familja e tij kishte mjaft ushqim, veshje dhe një vend për të jetuar. Ai shprehet: «Ajo që duhej të bëja unë ishte të qëndroja i qetë dhe të vazhdoja t’i besoja Perëndisë tim.» Nëse po has një sprovë të ngjashme, mos ki pikë dyshimi se Jehovai do të kujdeset për ty dhe do të të ndihmojë të qëndrosh i fortë.

Jehovai na e shpreh miratimin në shumë mënyra (Shih paragrafin 12) a


13. Cilët mund të përdorë Jehovai për të na shprehur miratimin e tij, dhe si?

13 Me anë të vëllezërve e motrave. Jehovai përdor vëllezërit e motrat për të na shprehur miratimin e tij. Për shembull, ai mund t’i nxitë që të na thonë fjalë zemërdhënëse tamam kur kemi nevojë. Një motër në Azi e provoi vetë këtë gjatë një periudhe tejet stresuese. Ajo kishte humbur punën dhe vuante nga një sëmundje e rëndë. Pastaj i shoqi kreu një mëkat serioz dhe u çemërua si plak. Motra thotë: «S’arrija ta kuptoja pse po më ndodhnin gjithë këto. Mendoja se mbase kisha bërë diçka të gabuar dhe kisha humbur miratimin e Jehovait.» Iu përgjërua Jehovait që ta siguronte se e miratonte. Si iu përgjigj Jehovai? Motra shpjegon: «Pleqtë e kongregacionit biseduan me mua dhe më siguruan se Jehovai më donte.» Gjithsesi, më vonë i kërkoi prapë Jehovait që ta siguronte për miratimin e tij. Ajo thotë: «Po atë ditë mora një letër nga disa vëllezër e motra të kongregacionit. Teksa lexoja fjalët e tyre ngushëlluese, e ndjeva se Jehovai më kishte dëgjuar.» Vërtet, Jehovai shpesh na e shpreh miratimin e tij me anë të fjalëve të ngrohta të të tjerëve.—Psal. 10:17.

Jehovai na e shpreh miratimin në shumë mënyra (Shih paragrafin 13) b


14. Cila është një mënyrë tjetër si na e shpreh Jehovai miratimin?

14 Jehovai na e shpreh miratimin edhe duke na dhënë këshilla nëpërmjet bashkëbesimtarëve atëherë kur kemi nevojë. Për shembull, në shekullin e parë, Jehovai e frymëzoi apostullin Pavël që t’u shkruante 14 letra vëllezërve e motrave. Ato letra përmbanin këshilla të drejtpërdrejta, por të dashura. Pse e frymëzoi Jehovai apostullin Pavël që të jepte këshilla të tilla? Jehovai është një Atë i mirë dhe e disiplinon një bir a një bijë «që e kënaq». (Prov. 3:11, 12) Prandaj kur marrim këshilla të bazuara në Bibël, duhet ta shohim si provë se e kemi miratimin e Perëndisë, jo se e kemi humbur atë. (Hebr. 12:6) Cilat janë disa prova të tjera se Jehovai na miraton?

PROVA TË TJERA SE JEHOVAI NA MIRATON

15. Kujt ia jep Jehovai frymën e tij të shenjtë, dhe për çfarë na siguron kjo?

15 Jehovai u jep frymën e shenjtë atyre që i miraton. (Mat. 12:18) Mund të pyesim veten: «A po shfaq në jetën time cilësi të frytit të frymës së Perëndisë?» A je më i duruar tani me të tjerët sesa para se të njihje Jehovain? Në fakt, sa më shumë të përpiqesh të shfaqësh frytin e frymës së shenjtë, aq më i sigurt do të jesh se ke miratimin e Jehovait!—Shihni kutinë « Fryti i frymës së shenjtë është . . . »

A i dallon provat se Jehovai të miraton? (Shih paragrafin 15)


16. Kë përdor Jehovai për të predikuar lajmin e mirë, dhe si të bën të ndihesh kjo? (1 Selanikasve 2:4)

16 Jehovai u beson me kënaqësi lajmin e mirë atyre që i miraton. (Lexo 1 Selanikasve 2:4.) Le të shohim si nxori dobi një motër që quhet Xhoslina ndërsa u fliste të tjerëve për lajmin e mirë. Një ditë Xhoslina u zgjua shumë e trishtuar. Ajo thotë: «Ndihesha krejt e padobishme. Mirëpo po shërbeja si pioniere dhe atë ditë kisha programuar të dilja në shërbim. Prandaj bëra një lutje dhe dola.» Atë mëngjes Xhoslina takoi Merin, një grua të mirë që pranoi të studionte Biblën. Ca muaj më vonë, Meri i tha Xhoslinës se i ishte lutur Perëndisë për ndihmë kur ajo i trokiti në derë. Kur kujton atë ngjarje, Xhoslina thotë: «U ndjeva sikur Jehovai po më thoshte ‘unë të miratoj’.» Sigurisht, jo të gjithë do ta dëgjojnë mesazhin që predikojmë. Ama mund të jemi të sigurt se Jehovai është i kënaqur me ne kur bëjmë më të mirën për t’u dhënë lajmin e mirë të tjerëve.

A i dallon provat se Jehovai të miraton? (Shih paragrafin 16) c


17. Çfarë të mëson ajo që thotë Viki për shpërblesën? (Psalmi 5:12)

17 Jehovai përdor shpërblesën për dobinë e atyre që i miraton. (1 Tim. 2:5, 6) Po nëse zemra jonë nuk e pranon që Jehovai na miraton, edhe nëse kemi besim te shpërblesa dhe jemi të pagëzuar? Mos harro se ndjenjave tona nuk mund t’u zëmë besë gjithmonë, kurse Jehovait po. Ata që kanë besim te shpërblesa janë të drejtë në sytë e tij, dhe ai premton t’i bekojë. (Lexo Psalmin 5:12; Rom. 3:26) Meditimi për shpërblesën e ndihmoi një motër që quhet Viki. Një ditë, pasi mendoi thellë për shpërblesën, kuptoi më në fund diçka të rëndësishme. Viki thotë: «Jehovai kishte treguar durim me mua për një kohë aq të gjatë. . . . Prapëseprapë, ishte sikur i kisha thënë: ‘Dashuria jote nuk është aq e madhe sa të më përfshijë edhe mua. Flijimi i Birit tënd nuk mjafton aq sa të vlejë edhe për mua.’» Pasi meditoi për dhuratën e shpërblesës, Viki filloi të ndiente se Jehovai e donte. Ndërsa mendojmë thellë për shpërblesën, edhe ne mund të ndiejmë se Jehovai na do dhe na miraton.

A i dallon provat se Jehovai të miraton? (Shih paragrafin 17)


18. Nëse e duam pareshtur Atin tonë qiellor, për çfarë mund të jemi të sigurt?

18 Ndonëse mund të përpiqemi fort t’i zbatojmë ato që mësuam në këtë artikull, hera-herës mund të shkurajohemi e të dyshojmë nëse Jehovai na miraton. Nëse të ndodh kjo, mbaj ndër mend se ai i miraton ata «që e duan pareshtur». (Jak. 1:12) Ndaj vazhdo ta forcosh miqësinë me Jehovain dhe të dallosh në ç’mënyra ta shpreh miratimin. Kurrë mos harro se Jehovai «nuk është larg nga secili prej nesh»!—Vep. 17:27.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse disa mund të ndihen sikur Jehovai nuk i miraton?

  • Cilat janë disa mënyra si na e shpreh Jehovai miratimin e tij?

  • Pse mund të jemi të sigurt se kemi miratimin e Perëndisë?

KËNGA 88 Më mëso udhët e tua

a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim

b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim

c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Inskenim