ARTIKULLI I STUDIMIT 11

KËNGA 129 Qëndrojmë të palëkundur

Mund t’i shërbesh pa u dorëzuar Jehovait me gjithë zhgënjimet

Mund t’i shërbesh pa u dorëzuar Jehovait me gjithë zhgënjimet

«Për hir të emrit tim ke duruar shumë gjëra.»ZBUL. 2:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ne mund t’i shërbejmë pa u dorëzuar Jehovait, pavarësisht nga zhgënjimet që përjetojmë.

1. Cilat bekime gëzojmë ngaqë bëjmë pjesë në organizatën e Jehovait?

 Ç’BEKIM të pashoq kemi që bëjmë pjesë në organizatën e Jehovait në këto ditë të fundit të trazuara! Ndërsa bota katandiset keq e më keq, Jehovai na ka dhënë një familje të bashkuar me vëllezër e motra. (Psal. 133:1) Gjithashtu na ndihmon të kemi lidhje të forta familjare. (Efes. 5:33–6:1) Veç kësaj, na jep gjykimin e thellë dhe mençurinë që na duhen për të pasur paqe në zemër.

2. Çfarë duhet të bëjmë, dhe pse?

2 Megjithatë duhet të punojmë pa u lodhur që të vazhdojmë t’i shërbejmë me besnikëri Jehovait. Pse? Sepse me raste mund të ofendohemi nga ajo që thonë a bëjnë të tjerët. Gjithashtu mund të na lëshojë zemra nga gabimet tona, sidomos nëse përsëritim shpesh të njëjtat gabime. Ndaj duhet t’i shërbejmë pa u dorëzuar Jehovait edhe (1) kur na ofendon një vëlla a motër, (2) kur na zhgënjen bashkëshorti dhe (3) kur zhgënjehemi nga vetja. Në këtë artikull do të ndalemi te secila nga këto situata. Gjithashtu do të shohim ç’mund të mësojmë nga tri personazhe të Biblës që qëndruan besnikë në situata të ngjashme.

MOS U DORËZO KUR TË OFENDON NJË BASHKËBESIMTAR

3. Me çfarë sfide përballen shërbëtorët e Jehovait?

3 Sfida. Disa bashkëbesimtarë kanë tipare personaliteti që na acarojnë. Të tjerë mund të na zhgënjejnë ose të thonë a të bëjnë gjëra që na lëndojnë. Vëllezërit që marrin drejtimin mund të gabojnë. Për shkak të këtyre situatave, disa mund të dyshojnë nëse kjo është vërtet organizata e Perëndisë. Në vend që të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait «krah për krah» me vëllezërit e motrat, mund t’i shmangin ata që i kanë ofenduar, e madje të mos shkojnë më në mbledhje. (Sof. 3:9) A është gjë e mençur kjo? Të shohim ç’mund të mësojmë nga një personazh i Biblës që hasi probleme të ngjashme.

4. Çfarë sfidash hasi apostulli Pavël?

4 Shembulli nga Bibla. Apostulli Pavël e dinte se vëllezërit e motrat ishin të papërsosur. Për shembull, pak pasi u bë i krishterë, disa bashkëbesimtarë e shihnin me mosbesim. (Vep. 9:26) Më vonë, disa folën për të prapa krahëve që t’i prishnin reputacionin. (2 Kor. 10:10) Pavli pa një vëlla përgjegjës të merrte një vendim të gabuar që mund t’i kishte penguar të tjerët. (Gal. 2:11, 12) Gjithashtu e zhgënjeu thellë një shok i ngushtë, Marku. (Vep. 15:37, 38) Ai mund të kishte lejuar që secila nga këto situata ta shtynte të mos shoqërohej më me ata që e kishin lënduar. Mirëpo Pavli mbajti një pikëpamje pozitive për vëllezërit e motrat dhe vazhdoi t’i shërbente me zell Jehovait. Çfarë e ndihmoi të mos dorëzohej?

5. Çfarë e ndihmoi Pavlin të mos hiqte dorë nga vëllezërit e motrat? (Kolosianëve 3:13, 14) (Shihni edhe figurën.)

5 Pavli i donte vëllezërit e motrat. Kjo dashuri e ndihmoi të mos përqendrohej te të metat e tyre, por te cilësitë e shkëlqyera. Dashuria e ndihmoi Pavlin edhe të bënte atë që shkroi vetë te Kolosianëve 3:13, 14. (Lexoje.) Të shohim si veproi në rastin e Markut. Megjithëse Marku e braktisi gjatë udhëtimit të parë misionar, ai nuk i mbajti mëri. Më vonë, kur i shkroi një letër të përzemërt kongregacionit në Kolose, Pavli e lavdëroi Markun si një bashkëpunëtor të çmuar, një ‘burim të madh ngushëllimi’. (Kolos. 4:10, 11) Kur ishte i burgosur në Romë, Pavli kërkoi që të shkonte ta ndihmonte pikërisht Marku. (2 Tim. 4:11) Është më se e qartë se Pavli nuk hiqte dorë nga vëllezërit e tij. Ç’mund të mësojmë nga ai?

Pas një mosmarrëveshjeje me Barnabën dhe Markun, Pavli nuk mbajti mëri dhe më vonë bashkëpunoi me gëzim me Markun (Shih paragrafin 5)


6-7. Ç’na ndihmon të vazhdojmë t’u tregojmë dashuri vëllezërve e motrave pavarësisht nga të metat e tyre? (1 Gjonit 4:7)

6 Mësimi. Jehovai dëshiron që të vazhdojmë t’u tregojmë dashuri vëllezërve e motrave. (Lexo 1 Gjonit 4:7.) Edhe nëse një vëlla a motër nuk ka shfaqur ndonjë cilësi të krishterë, mund të kemi besim se dëshiron t’i zbatojë parimet e Biblës dhe se thjesht veproi pa u menduar. (Prov. 12:18) Perëndia i do shërbëtorët e tij besnikë pavarësisht nga të metat dhe gabimet e tyre. Ai nuk na kthen krahët kur bëjmë gabime dhe as na mban mëri. (Psal. 103:9) Sa rëndësi ka të imitojmë Atin tonë që është i gatshëm të falë!—Efes. 4:32–5:1.

7 Mos harro edhe se ndërsa afrohet fundi, na duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me vëllezërit e motrat. Mund të presim që përndjekjet të shtohen. Madje mund të përfundojmë në burg për hir të besimit. E nëse ndodh kështu, do të kemi nevojë më tepër se kurrë për vëllezërit e motrat. (Prov. 17:17) Le të shohim çfarë ndodhi me Xhuzepin, a një plak kongregacioni në Spanjë. Atë e burgosën bashkë me vëllezër të tjerë për shkak të asnjanësisë së krishterë. Xhuzepi tregon: «Në burg kishte shumë rrezik të acaroheshe me vëllezërit ngaqë nuk kishim privatësi. Duhej ta duronim e ta falnim bujarisht njëri-tjetrin. Falë kësaj arritëm të ruanim unitetin dhe të mbronim njëri-tjetrin nga të burgosurit që nuk i shërbenin Jehovait. Në një rast theva krahun dhe e kisha në allçi, ndaj shumë gjëra nuk i bëja dot vetë. Por një nga vëllezërit më lante rrobat e kujdesej për mua edhe në mënyra të tjera praktike. Përjetova dashurinë e sinqertë tamam kur kisha më tepër nevojë.» Çfarë arsyesh të forta kemi që t’i zgjidhim qysh tani mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin!

MOS U DORËZO KUR TË ZHGËNJEN BASHKËSHORTI

8. Çfarë vështirësish hasin çiftet e martuara?

8 Sfida. Të gjitha martesat kanë vështirësitë e veta. Bibla e pranon hapur se të martuarit do të kenë «vështirësi në jetë». (1 Kor. 7:28) Pse? Sepse martesa lidh dy njerëz të papërsosur, secili me cilësi, pëlqime e mospëlqime të ndryshme. Bashkëshortët mund të vijnë nga kultura e prejardhje të ndryshme. Dhe, me kohë, mund të vërejnë te njëri-tjetri tipare që nuk dolën në pah para martese. Secila nga këto gjëra mund të shkaktojë fërkime. E në vend që të pranojnë pjesën e vet të fajit e që duhet të përpiqen të zgjidhin problemet, mund të fajësojnë njëri-tjetrin. Madje mund të fillojnë të shohin si rrugëdalje ndarjen ose divorcin. Por, a është kjo zgjidhja? b Le të ndalemi te një personazh nga Bibla që nuk u dorëzua, edhe pse kishte një martesë jashtëzakonisht të vështirë.

9. Çfarë sfide hasi Abigaila?

9 Shembulli nga Bibla. Abigaila ishte e martuar me Nabalin, të cilin Bibla e përshkruan si njeri të ashpër e harbut. (1 Sam. 25:3) Kushedi sa të vështirë duhet ta ketë pasur të jetonte me një burrë të tillë! A mund të kishte gjetur një rrugë të lehtë për të shpëtuar nga ajo martesë? Abigaila pati një mundësi të artë kur Davidi, mbreti i ardhshëm i Izraelit, donte t’ia vriste të shoqin ngaqë kishte ofenduar atë dhe njerëzit e tij. (1 Sam. 25:9-13) Ajo mund t’ia kishte mbathur e ta linte Davidin ta realizonte atë plan. Por përkundrazi ndërhyri dhe e bindi që ta linte gjallë Nabalin. (1 Sam. 25:23-27) Çfarë mund ta ketë shtyrë që të vepronte kështu?

10. Çfarë do ta ketë nxitur Abigailën ta shpëtonte martesën e saj të vështirë?

10 Abigaila e donte Jehovain dhe i respektonte standardet e tij për martesën. Me siguri e dinte se çfarë u kishte thënë Perëndia Adamit dhe Evës kur lidhi martesën e parë. (Zan. 2:24) Abigaila e kuptonte se martesa është e shenjtë për Jehovain. Ajo donte t’ia kënaqte zemrën Perëndisë. Patjetër që kjo do ta ketë nxitur të bënte gjithë sa mundej për të shpëtuar familjen, duke përfshirë dhe të shoqin. Abigaila veproi pa vonesë që ta pengonte Davidin të vriste Nabalin. U tregua e gatshme edhe të kërkonte falje për një gabim që nuk e kishte bërë. S’ka dyshim se Jehovai e donte atë grua guximtare dhe altruiste. Çfarë mund të mësojnë qoftë gratë, qoftë burrat nga shembulli i Abigailës?

11. (a) Çfarë pret Jehovai nga të martuarit? (Efesianëve 5:33) (b) Çfarë mëson nga përpjekjet e Karmenit për të shpëtuar martesën? (Shihni edhe figurën.)

11 Mësimi. Jehovai i udhëzon të martuarit që ta respektojnë martesën edhe nëse bashkëshorti është njeri i vështirë. Kushedi sa i gëzon zemra Perëndisë tek sheh se të martuarit punojnë fort që të zgjidhin problemet e të tregojnë dashuri altruiste e respekt për njëri-tjetrin! (Lexo Efesianëve 5:33.) Le të shohim shembullin e Karmenit. Rreth 6 vjet pas martese, Karmeni nisi të studionte me Dëshmitarët e Jehovait dhe më pas u pagëzua. Ajo thotë: «Burri nuk e priti fare mirë vendimin tim. Ishte xheloz për Jehovain dhe më ofendonte e më kërcënonte se do të më linte.» Megjithatë, Karmeni nuk hoqi dorë nga martesa e saj. Ajo u përpoq fort për 50 vjet që t’i tregonte dashuri e respekt bashkëshortit. Karmeni vazhdon: «Me kalimin e viteve, mësova të dalloja më mirë si ndihej im shoq e t’i flisja me takt. U përpoqa me mish e me shpirt që ta shpëtoja martesën, sepse e dija se është e shenjtë në sytë e Jehovait. Ngaqë e dua Jehovain, nuk e pashë kurrë si të pashpresë martesën time.» c Nëse lindin vështirësi në martesën tënde, ji i sigurt se Jehovai do të të mbështetë e do të të ndihmojë që të mos dorëzohesh.

Çfarë të mëson gatishmëria e Abigailës për të bërë gjithë sa mundej që të shpëtonte familjen? (Shih paragrafin 11)


MOS U DORËZO KUR ZHGËNJEHESH NGA VETJA

12. Çfarë sfide mund të hasim nëse kryejmë një mëkat serioz?

12 Sfida. Kur kryejmë një mëkat serioz, mund ta shohim veten si të pashpresë. Bibla e pranon se si pasojë e mëkateve tona, mund ta kemi ‘zemrën të vrarë dhe të dërrmuar’. (Psal. 51:17) Një vëlla që quhet Robert kishte punuar fort për vite me radhë që të kualifikohej si shërbëtor kongregacioni. Mirëpo më vonë kreu një mëkat serioz dhe kuptoi se kishte vepruar pabesisht ndaj Jehovait. Ai thotë: «Ndërgjegjja filloi të më brente e u ndjeva sikur më ra sipër një mal me tulla. Kisha një si lëmsh në bark. Qava me ngashërim dhe iu luta Jehovait. Më kujtohet se mendoja që Perëndia s’do ta merrte kurrë më mundimin të më dëgjonte. E fundja pse të më dëgjonte?! Unë e kisha zhgënjyer.» Nëse bëjmë një mëkat serioz, mund ta shohim veten si të pashpresë, sepse zemra jonë e copëtuar beson se Jehovai na ka vënë vizën. (Psal. 38:4) Nëse je ndier kështu, mendo për shembullin e një besniku nga Bibla, i cili nuk u dorëzua në shërbim të Jehovait edhe pse kreu një mëkat serioz.

13. Çfarë mëkati serioz bëri apostulli Pjetër, dhe si arriti deri në atë pikë?

13 Shembulli nga Bibla. Natën para se të ekzekutonin Jezuin, apostulli Pjetër bëri një sërë gabimesh që e çuan drejt dështimit më të madh të jetës. Fillimisht Pjetri tregoi besim të tepruar te vetja, duke u mburrur se do t’i qëndronte besnik Jezuit edhe sikur apostujt e tjerë ta braktisnin. (Mar. 14:27-29) Pastaj në kopshtin e Getsemanisë, nuk qëndroi vigjilent disa herë radhazi. (Mar. 14:32, 37-41) Më vonë e braktisi Jezuin në duart e një turme të dhunshme. (Mar. 14:50) Në fund, Pjetri mohoi tri herë se e njihte Jezuin, madje u betua për atë gënjeshtër. (Mar. 14:66-71) Si reagoi Pjetri kur kuptoi çfarë mëkati serioz kishte bërë? Ai s’u përmbajt dot dhe qau me hidhërim, mbase i dërrmuar nga ndjenjat e fajit. (Mar. 14:72) Vetëm imagjino sa duhet t’i ketë therur në shpirt Pjetrit kur mikun e tij, Jezuin, e ekzekutuan vetëm pak orë më vonë. Sa i turpëruar dhe i pavlerë duhet të jetë ndier!

14. Çfarë e ndihmoi Pjetrin t’i shërbente Jehovait pa u dorëzuar? (Shihni figurën.)

14 Kishte disa arsye pse Pjetri i shërbeu Jehovait pa u dorëzuar. Ai nuk u izolua, por shkoi te vëllezërit e tij, e pa dyshim ata e ngushëlluan. (Luka 24:33) Veç kësaj, pas ringjalljes Jezui iu shfaq Pjetrit, sepse ka shumë të ngjarë që donte t’i jepte zemër. (Luka 24:34; 1 Kor. 15:5) Më pas, në vend që ta qortonte mikun e tij, Jezui i tha se do t’i besonte më tepër përgjegjësi. (Gjoni 21:15-17) Pjetri e dinte se kishte mëkatuar rëndë, por nuk e pa veten si të pashpresë. Pse? Sepse ishte i bindur se Zotëria i tij, Jezui, nuk e shihte me atë sy. Gjithashtu, vëllezërit vazhduan ta mbështetnin Pjetrin. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij?

Gjoni 21:​15-17 tregon se Jezui nuk e pa si të pashpresë Pjetrin, dhe kjo i dha zemër Pjetrit që të mos dorëzohej (Shih paragrafin 14)


15. Për çfarë dëshiron Jehovai të jemi të bindur? (Psalmi 86:5; Romakëve 8:38, 39) (Shihni edhe figurën.)

15 Mësimi. Jehovai dëshiron të jemi të bindur se na do dhe është gati të na falë. (Lexo Psalmin 86:5; Romakëve 8:38, 39.) Kur mëkatojmë, ndihemi në faj. Kjo është normale dhe e përshtatshme. Ama s’duhet të mendojmë se nuk e meritojmë që Jehovai të na dojë a të na falë. Në vend të kësaj, duhet të kërkojmë ndihmë pa vonesë. Roberti, i përmendur më sipër, thotë: «Mëkatova sepse u mbështeta te forcat e mia për t’i rezistuar tundimit.» Ai e kuptoi se duhej të fliste me pleqtë. Roberti shton: «Pasi e bëra këtë, ndjeva menjëherë dorën e dashur të Jehovait nëpërmjet tyre. Pleqtë nuk më panë si rast të pashpresë. Ata më ndihmuan të besoja se Jehovai nuk më kishte braktisur.» Edhe ne mund të jemi të bindur se Jehovai na do jashtë mase dhe na fal nëse pendohemi për mëkatet tona, kërkojmë ndihmë dhe përpiqemi sinqerisht të mos i përsëritim gabimet. (1 Gjon. 1:8, 9) Kjo bindje na ndihmon të mos e shohim veten si të pashpresë kur gabojmë.

Për çfarë të sigurojnë përpjekjet e palodhura të pleqve për të të ndihmuar? (Shih paragrafin 15)


16. Pse je i vendosur t’i shërbesh Jehovait pa u dorëzuar?

16 Jehovai i çmon pa masë përpjekjet që bëjmë për t’i shërbyer në këto ditë të fundit të vështira. Me ndihmën e tij, mund t’i shërbejmë pa u dorëzuar me gjithë zhgënjimet. Mund të vazhdojmë t’i duam vëllezërit e motrat dhe t’i falim, edhe nëse na ofendojnë. Mund të tregojmë sa e thellë është dashuria jonë për Perëndinë dhe sa e respektojmë martesën duke bërë çmos të zgjidhim çdo problem që mund të lindë në martesën tonë. E nëse bëjmë një mëkat, të kërkojmë ndihmën e Jehovait, ta pranojmë se na do e na ka falur dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë me besnikëri. Po «të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer», mund të jemi të sigurt se do të korrim bekime të bollshme.—Gal. 6:9.

SI MUND T’I SHËRBEJMË JEHOVAIT PA U DORËZUAR KUR . . .

  • na ofendon një bashkëbesimtar?

  • na zhgënjen bashkëshorti?

  • zhgënjehemi nga vetja?

KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re

a Disa emra janë ndryshuar.

b Fjala e Perëndisë nuk e inkurajon ndarjen dhe e bën të qartë që në rast se bashkëshortët ndahen, asnjë prej tyre s’ka të drejtë të rimartohet. Gjithsesi ka situata serioze që disa shërbëtorë të Perëndisë i kanë konsideruar si shkak për ndarje. Shih shtojcën 4 me titull «Ndarja» te libri Gëzoje jetën përgjithmonë.

c Për një shembull tjetër, shih në jw.org videon Mos u mashtroni nga paqja që ofron bota!—Derel dhe Debora Frejsinger.