ARTIKULLI I STUDIMIT 10

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

‘Ndiq vazhdimisht’ Jezuin pas pagëzimit

‘Ndiq vazhdimisht’ Jezuin pas pagëzimit

«Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.»LUKA 9:23.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ky artikull do të na ndihmojë të gjithëve të mendojmë thellë për domethënien e kushtimit tonë. Në veçanti do të ndihmojë ata që janë pagëzuar kohët e fundit që të qëndrojnë besnikë.

1-2. Pse bëhet më e bukur jeta pas pagëzimit?

 SA TË lumtur janë ata që pagëzohen dhe bëhen pjesë e familjes së Jehovait! Kushdo që ka nderin të gëzojë këtë miqësi të ngushtë me Jehovain, ndihet si psalmisti David që tha: «Lum ai që ti [Jehova] e zgjedh dhe e afron pranë, që në oborret e tua të banojë.»—Psal. 65:4.

2 Jehovai nuk pranon këdo në oborret e tij. Siç e pamë në artikullin e kaluar, ai zgjedh t’u afrohet atyre që tregojnë se duan të kenë miqësi të ngushtë me të. (Jak. 4:8) Kur ia kushton jetën dhe pagëzohesh, afrohesh me Jehovain në një mënyrë speciale. Ji i sigurt se pas pagëzimit ai ‘do të të derdhë një bekim të tillë, sa të mos kesh më nevojë’.—Mal. 3:10; Jer. 17:7, 8.

3. Çfarë përgjegjësie serioze sjellin kushtimi dhe pagëzimi? (Eklisiastiu 5:4, 5)

3 Natyrisht, pagëzimi është vetëm një pikënisje. Pasi hedh këtë hap, do të duash të bësh maksimumin për të jetuar në lartësinë e betimit të kushtimit edhe kur të hasësh tundime ose sprova besimi. (Lexo Eklisiastiun 5:4, 5.) Si dishepull i Jezuit, do të bësh më të mirën që të imitosh shembullin e tij e t’u bindesh urdhërimeve të tij. (Mat. 28:19, 20; 1 Pjet. 2:21) Ky artikull do të të ndihmojë tamam për këtë.

‘NDIQE VAZHDIMISHT’ JEZUIN EDHE NË SPROVA E TUNDIME

4. Në ç’kuptim mbajnë një ‘shtyllë torture’ dishepujt e Jezuit? (Luka 9:23)

4 Jeta pas pagëzimit nuk është fushë me lule. Në fakt, Jezui e tha qartë se dishepujt e tij do të mbanin një ‘shtyllë torture’. E do ta bënin këtë «ditë për ditë». (Lexo Lukën 9:23.) A po thoshte Jezui se dishepujt e tij do të vuanin pareshtur? Aspak. Thjesht po theksonte se krahas bekimeve që do të shijonin, do të hasnin edhe sprova. E disa nga ato sprova mund t’u sillnin dhembje.—2 Tim. 3:12.

5. Çfarë bekimesh u ka premtuar Jezui atyre që bëjnë sakrifica?

5 Mbase ke hasur kundërshtime nga familja a ndoshta ke sakrifikuar disa të mira materiale për të vënë Mbretërinë në vend të parë. (Mat. 6:33) Nëse po, syrit të Jehovait nuk i ka shpëtuar asgjë që ke bërë për të. (Hebr. 6:10) Ka shumë të ngjarë ta kesh provuar sa të vërteta janë këto fjalë të Jezuit: «Nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose toka për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, e të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish—shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe toka, bashkë me përndjekje—dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.» (Mar. 10:29, 30) Vërtet, bekimet që ke marrë janë ku e ku më të mëdha se çdo sakrificë që ke bërë.—Psal. 37:4.

6. Pse pas pagëzimit duhet ta vazhdosh luftën kundër ‘dëshirave të trupit mëkatar’?

6 Edhe pas pagëzimit duhet ta vazhdosh luftën kundër ‘dëshirave të trupit mëkatar’. (1 Gjon. 2:16) Fundja je akoma pasardhës mëkatar i Adamit. Herë pas here mund të ndihesh si apostulli Pavël, i cili shkroi: «Në të vërtetë, njeriu që jam përbrenda, kënaqet me ligjin e Perëndisë, kurse në trupin tim shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit që është në trupin tim.» (Rom. 7:22, 23) Ndoshta të shkurajon lufta kundër dëshirave a prirjeve të gabuara. Gjithsesi, mendo për premtimin që i bëre Jehovait kur i kushtove jetën. Kështu do të jesh më i vendosur që të luftosh kundër tundimeve. Në fakt, betimi i kushtimit do të ta bëjë më të lehtë të qëndrosh besnik përballë çdo tundimi. Si?

7. Si do të të ndihmojë kushtimi ndaj Jehovait që t’i qëndrosh besnik?

7 Kur ia kushtove jetën Jehovait, mohove veten. Me fjalë të tjera u the «jo» dëshirave e ambicieve personale që do ta mërzitnin Jehovain. (Mat. 16:24) Kështu, kur të hasësh një sprovë, s’do të të duhet të vrasësh mendjen se ç’të bësh. Do t’ua kesh mbyllur derën që më parë të gjitha alternativave, përveç njërës—besnikërisë ndaj Jehovait. Do të jesh plotësisht i vendosur që t’i kënaqësh zemrën Jehovait. Do të imitosh Jobin që, ndonëse hoqi sprova të tmerrshme, tha me vendosmëri: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë!»—Jobi 27:5.

8. Si mund të të ndihmojë reflektimi për lutjen e kushtimit që t’u rezistosh tundimeve?

8 Reflektimi për lutjen e kushtimit që i ke bërë Jehovait do të të japë forcë t’i rezistosh çdo tundimi. Për shembull, a do të filloje të flirtoje me burrin a gruan e dikujt tjetër? Kurrsesi! Tashmë i ke premtuar Jehovait se nuk do ta bësh kurrë një gjë të tillë. Kështu do t’i kursesh vetes përpjekjet e mundimshme për të mposhtur dëshirat e papërshtatshme pasi të kenë hedhur rrënjë. ‘Do të qëndrosh larg’ nga ‘shtegu i të ligjve’.—Prov. 4:14, 15.

9. Si të ndihmon reflektimi për lutjen tënde të kushtimit që ta mbash adhurimin e Perëndisë në vend të parë?

9 Po nëse të ofrohet një punë që të pengon të ndjekësh rregullisht mbledhjet? Nuk do të kesh asnjë grimë dyshimi si të veprosh. I ke thënë «jo» një pune të tillë që para se të të bëhej ajo ofertë. Kështu nuk do të lodhesh kot për të gjetur mënyra si ta bësh të suksesshëm një vendim të gabuar. Medito për shembullin e Jezuit që ishte i vendosur ta kënaqte Atin e tij. Kjo do të të motivojë t’i thuash «jo» në çast e me vendosmëri çdo gjëje që e di se ia hidhëron zemrën Perëndisë që i je kushtuar.—Mat. 4:10; Gjoni 8:29.

10. Si do të të ndihmojë Jehovai pas pagëzimit që ‘ta ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin?

10 Në të vërtetë sprovat e tundimet të japin mundësinë të tregosh se je i vendosur ‘të ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin. Ndërsa vepron kështu, ji i sigurt se Jehovai do të të bëhet krah. Bibla thotë: «Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.»—1 Kor. 10:13.

SI TË VAZHDOSH TA NDJEKËSH JEZUIN

11. Cila është një nga mënyrat më të mira si të vazhdosh ta ndjekësh Jezuin? (Shihni edhe figurën.)

11 Jezui i shërbente me gjithë shpirt Jehovait dhe mbante një miqësi të fortë me të nëpërmjet lutjeve. (Luka 6:12) Në fakt, një nga mënyrat më të mira si të vazhdosh ta ndjekësh Jezuin pas pagëzimit është ta kesh zakon të bësh gjëra që të afrojnë me Jehovain. Bibla thotë: «Nga këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull në të njëjtën udhë.» (Filip. 3:16) Herë pas here do të dëgjosh histori të vëllezërve e të motrave që vendosën ta zgjeronin shërbimin. Ndoshta ndoqën Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë ose u transferuan ku kishte më tepër nevojë. Nëse ke mundësi ta vësh edhe ti këtë synim, mos ngurro aspak. Adhuruesit e Jehovait duan me gjithë zemër ta zgjerojnë shërbimin. (Vep. 16:9) Po nëse tani për tani e ke të pamundur ta bësh këtë? Mos mendo se ke më pak vlerë nga ata që e kanë këtë mundësi. Gara jonë është një garë qëndrueshmërie. (Mat. 10:22) Mos harro sa e çmuar është për Jehovain çdo gjë që arrin të bësh sipas aftësive dhe rrethanave të tua. Kjo është një mënyrë e rëndësishme si ta ndjekësh vazhdimisht Jezuin pas pagëzimit.—Psal. 26:1.

Pas pagëzimit vër synimin të bësh gjëra që të afrojnë me Jehovain (Shih paragrafin 11)


12-13. Ç’mund të bësh nëse fillon të të venitet zelli? (1 Korintasve 9:16, 17) (Shihni edhe kutinë « Vazhdoje garën».)

12 Po nëse të duket që lutjet e tua janë bërë mekanike ose që shërbimi yt është kthyer në diçka monotone? Apo mos ndoshta nuk po e shijon aq sa dikur leximin e Biblës? Nëse ndihesh kështu pas pagëzimit, mos nxirr përfundimin se nuk ke më frymën e Jehovait. Si njeri i papërsosur, ndjenjat e tua mund të luhaten. Nëse ka filluar të të venitet zelli, mendo për shembullin e apostullit Pavël. Ndonëse përpiqej të imitonte Jezuin, ai e dinte se nganjëherë nuk do të ishte aq i motivuar për shërbimin. (Lexo 1 Korintasve 9:16, 17.) Pavli shkroi: «Edhe sikur ta bëj kundër vullnetit tim, nuk harroj se kjo detyrë më është besuar si kujdestar.» Me fjalë të tjera, ai ishte i vendosur ta kryente shërbimin e tij, pavarësisht se si ndihej për momentin.

13 Edhe ti mos lejo që vendimet e tua të bazohen thjesht te ndjenjat që provon si njeri i papërsosur. Ji i vendosur të bësh atë që është e drejtë, pavarësisht se si ndihesh. Me kohë ka shumë të ngjarë që veprimet e tua të ndikojnë për mirë te ndjenjat. Sido që të jetë, një program i mirë teokratik do të të ndihmojë të vazhdosh ta ndjekësh Jezuin pas pagëzimit. E përpjekjet e tua ngulmuese do t’u japin zemër vëllezërve e motrave.—1 Sel. 5:11.

‘VAZHDO TË VËSH NË PROVË’

14. Çfarë duhet të shqyrtosh rregullisht, dhe pse? (2 Korintasve 13:5)

14 Një gjë tjetër që do të të ndihmojë pas pagëzimit është të shqyrtosh rregullisht veten. (Lexo 2 Korintasve 13:5.) Herë pas here, analizo me kujdes jetën dhe zakonet e tua për të parë nëse po lutesh çdo ditë, po lexon e po studion Biblën, po ndjek mbledhjet e po del në shërbim. Kërko mënyra që t’i shijosh e të përfitosh më shumë nga këto aspekte të adhurimit. Për shembull, bëji vetes pyetje të tilla, si: «A mund t’ua shpjegoj të tjerëve mësimet themelore të Biblës? Çfarë mund të më ndihmojë që të gjej më shumë kënaqësi në shërbim? Sa specifike janë lutjet e mia dhe a tregojnë se mbështetem plotësisht te Jehovai? A i ndjek rregullisht mbledhjet? Ç’mund të bëj që të jem më i përqendruar në mbledhje e të përfshihem më shumë?»

15-16. Çfarë të mëson shembulli i Robertit për luftën kundër tundimeve?

15 Është e rëndësishme ta shqyrtosh me sinqeritet veten edhe për të dalluar se çfarë dobësish ke. Këtë e ilustron shembulli i një vëllai që quhet Robert. Ai thotë: «Kur isha rreth 20 vjeç, punoja me orar të reduktuar. Një ditë pas pune, një kolege më ftoi në shtëpinë e saj. Më tha se do të ishim vetëm dhe do të bënim qejf. Në fillim nxora ca justifikime të dobëta, por në fund i thashë ‘jo’ dhe i shpjegova arsyen.» Roberti i rezistoi tundimit dhe kjo është e lavdërueshme. Megjithatë, kur mendoi më vonë për atë situatë, kuptoi se mund ta kishte përballuar më mirë. Ai pranon: «Nuk e refuzova aq prerë ose aq shpejt atë ofertë sa Jozefi kur i rezistoi gruas së Potifarit. (Zan. 39:7-9) Në fakt u habita edhe vetë që e pata aq të vështirë të refuzoja. Nga ai rast kuptova se kisha nevojë të forcoja miqësinë me Jehovain.»

16 Mund të nxjerrësh dobi duke bërë një vetëshqyrtim të ngjashëm me atë të Robertit. Edhe atëherë kur ia del mbanë t’i rezistosh tundimit, pyet veten: «Sa kohë m’u desh të thosha ‘jo’?» Nëse dallon se ka vend për përmirësim, mos u shkurajo. Përkundrazi, ji i kënaqur që tani e di çfarë pike të dobët ke. Lutu sa më shpesh për këtë dhe bëj hapat e nevojshëm për ta forcuar vendosmërinë që të jetosh sipas normave morale të Jehovait.—Psal. 139:23, 24.

17. Si e nderoi Roberti emrin e Jehovait?

17 Historia e Robertit nuk mbaron me kaq. Ai vazhdon: «Pasi ia refuzova ftesën, kolegia më tha: ‘E kalove provën!’ E pyeta se ku e kishte fjalën. Më shpjegoi se një shoku i saj, një ish-Dëshmitar, i kishte thënë se të gjithë të rinjtë Dëshmitarë bëjnë jetë të dyfishtë dhe se, po t’u jepej mundësia, do të bënin kompromis pa u menduar gjatë. Ajo i kishte thënë shokut se do të bënte një provë me mua. Pas kësaj ndjeva një gëzim të papërshkrueshëm që kisha nderuar emrin e Jehovait.»

18. Çfarë je i vendosur të bësh pas pagëzimit? (Shihni edhe kutinë « Një seri fantastike për ty».)

18 Kur i kushton jetën Jehovait dhe pagëzohesh, tregon se dëshiron të shenjtërosh emrin e tij çfarëdo që të ndodhë. Të jesh i sigurt se Jehovai e di mirë çfarë sprovash kalon e me çfarë tundimesh përballesh. Ai do t’i bekojë përpjekjet e tua për të qëndruar besnik. Ji i bindur se me anë të frymës së tij të shenjtë do të të japë forcë që të mbetesh besnik. (Luka 11:11-13) Falë ndihmës së Jehovait, do t’ia dalësh ta ndjekësh vazhdimisht Jezuin pas pagëzimit.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Në ç’kuptim mbajmë ‘ditë për ditë një shtyllë torture’ si dishepuj të Jezuit?

  • Si mund ‘ta ndjekësh vazhdimisht’ Jezuin pas pagëzimit?

  • Si mund të të ndihmojë reflektimi për lutjen e kushtimit që të qëndrosh besnik?

KËNGA 89 Bindju Jehovait dhe gjej lumturi