ARTIKULLI I STUDIMIT 12
KËNGA 77 Dritë mes errësirës
Rri larg errësirës—Ec në dritë
«Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë.»—EFES. 5:8.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Çfarë mund të mësojmë nga metaforat e errësirës dhe të dritës që përdori Pavli te kapitulli 5 i Efesianëve.
1-2. (a) Në ç’rrethana dhe pse u shkroi Pavli efesianëve? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
KUR ishte në arrest shtëpie në Romë, apostulli Pavël donte t’u jepte zemër bashkëbesimtarëve. Meqë s’kishte si t’i takonte personalisht, u shkroi letra. Një prej letrave ua shkroi efesianëve rreth vitit 60 ose 61 të e.s.—Efes. 1:1; 4:1.
2 Gati dhjetë vjet më parë, Pavli kishte kaluar goxha kohë në Efes duke predikuar e mësuar lajmin e mirë. (Vep. 19:1, 8-10; 20:20, 21) Ai i donte me gjithë zemër vëllezërit e motrat dhe kishte dëshirë t’i ndihmonte që t’i qëndronin besnikë Jehovait. Po pse u shkroi të krishterëve të mirosur për errësirën dhe dritën? Dhe çfarë mund të mësojmë të gjithë ne nga këshillat e tij? Le të shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.
NGA ERRËSIRA NË DRITË
3. Çfarë metaforash përdori Pavli kur u shkroi efesianëve?
3 Pavli u shkroi të krishterëve në Efes: «Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë.» (Efes. 5:8) Këtu Pavli i përdori metaforat e errësirës dhe të dritës për të bërë kontrastin mes dy gjendjeve krejt të kundërta. Le të shohim pse Pavli u tha efesianëve se ‘dikur ishin errësirë’.
4. Pse mund të themi se efesianët ishin në errësirë fetare?
4 Errësirë fetare. Para se të njihnin të vërtetën dhe të bëheshin të krishterë, efesianët kishin qenë skllevër të ideve të rreme fetare dhe bestytnive. Në qytetin e Efesit ndodhej tempulli i famshëm i Artemisës, që në lashtësi konsiderohej si një nga shtatë mrekullitë e botës. Njerëzit që adhuronin atje ishin të zhytur kokë e këmbë në idhujtari. Zejtaria dhe shitja e faltoreve të perëndeshës Artemisë ishin biznes fitimprurës. (Vep. 19:23-27) Qyteti ishte me nam edhe për praktikimin e magjisë.—Vep. 19:19.
5. Pse mund të themi se efesianët ishin në errësirë morale?
5 Errësirë morale. Efesi ishte famëkeq për imoralitetin e rëndë dhe sjelljen e pacipë. Të folurit e ndyrë ishte gjë e zakonshme në shfaqjet teatrale, e madje edhe në festat fetare. (Efes. 5:3) Shumë efesianë ‘kishin humbur çdo ndjesi morale’. Në kuptimin e mirëfilltë kjo shprehje do të thotë «nuk ndienin më dhimbje». (Efes. 4:17-19) Para se të njihnin standardet e Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën, ata nuk i vriste ndërgjegjja e as u shkonte ndër mend se mbanin përgjegjësi para Perëndisë për sjelljen e tyre. Ja pse Pavli tha se ishin «mendërisht në errësirë dhe të ndarë nga jeta që vjen nga Perëndia».
6. Pse Pavli u tha efesianëve se ‘tani ishin dritë’?
6 Ama disa efesianë kishin dalë nga ajo errësirë. Pavli u shkroi se ‘tani ishin dritë ngaqë i përkitnin Zotërisë’. (Efes. 5:8) Ata po ecnin sipas dritës së Shkrimeve. (Psal. 119:105) Të krishterët e Efesit i kishin flakur tej praktikat e fesë së rreme dhe sjelljen imorale. Ishin bërë «imitues të Perëndisë» dhe po jepnin më të mirën për ta adhuruar e për ta kënaqur Jehovain.—Efes. 5:1.
7. Çfarë ngjashmërie ka situata jonë me atë të shumë të krishterëve në Efes?
7 Para se të njihnim të vërtetën, edhe ne ishim në errësirë fetare dhe morale. Disa prej nesh festonin festa të fesë së rreme; të tjerë bënin jetë imorale. Por pasi mësuam standardet e Jehovait për të drejtën e të gabuarën, bëmë ndryshime. Filluam të jetonim sipas kërkesave të tij të drejta, e si rezultat kemi korrur dobi pa fund. (Isa. 48:17) Por prapë përballemi me sfida ditë pas dite. Na duhet të rrimë larg errësirës nga e cila dolëm dhe ‘të vazhdojmë të ecim si fëmijë të dritës’. Si mund ta bëjmë këtë?
RRI LARG ERRËSIRËS
8. Sipas Efesianëve 5:3-5, çfarë duhej të shmangnin efesianët?
8 Lexo Efesianëve 5:3-5. Që të rrinin larg errësirës morale, të krishterët në Efes duhej të qëndronin të pastër nga praktikat që nuk i pëlqenin aspak Jehovait. Këtu përfshihej jo vetëm sjellja imorale, por edhe të folurit e ndyrë. Pavli u kujtoi efesianëve se po të mos i shmangnin gjëra të tilla, nuk do të kishin «asnjë trashëgimi në Mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë».
9. Pse duhet të shmangim çdo gjë që mund të na çojë drejt imoralitetit?
9 Edhe ne duhet të luftojmë pareshtur për të mos u përzier në «veprat e pafrytshme të errësirës». (Efes. 5:11) Përvoja ka treguar kushedi sa herë se sa më shumë të shohësh, të dëgjosh ose të flasësh për gjëra të papastra a imorale, aq më kollaj bie në kurthin e mëkatit. (Zan. 3:6; Jak. 1:14, 15) Në një vend, një grup me dhjetëra vëllezër e motra filluan të këmbenin mesazhe në një rrjet social. Në fillim, shumica flitnin për Jehovain dhe të vërtetën. Mirëpo me kalimin e kohës, bisedat filluan të degjeneronin dhe të vërtiteshin rreth seksit. Më vonë, mjaft prej tyre e pranuan se ai i folur i papastër i çoi drejt imoralitetit seksual.
10. Si përpiqet të na mashtrojë Satanai? (Efesianëve 5:6)
10 Bota e Satanait përpiqet të na mashtrojë, duke na shtyrë të mendojmë se gjërat që Jehovai i quan imorale e të papastra nuk janë aspak të gabuara. (2 Pjet. 2:19) Kjo s’na çudit. Një nga taktikat më të lashta të Djallit është t’i çorientojë njerëzit, që të mos arrijnë të dallojnë çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. (Isa. 5:20; 2 Kor. 4:4) Ja pse shumë filma, programe televizive dhe site në internet reklamojnë ide që bien ndesh me standardet e drejta të Jehovait. Satanai përpiqet të na mashtrojë që t’i shohim praktikat e papastra dhe stilet imorale të jetës jo vetëm si të pranueshme, por edhe si argëtuese e të padëmshme—Lexo Efesianëve 5:6.
11. Si e tregon shembulli i Anxhelës se duhet ta zbatojmë këshillën e mençur të Efesianëve 5:7? (Shihni edhe figurën.)
11 Satanai dëshiron të zgjedhim shoqëri që na e bëjnë më të vështirë të jetojmë sipas standardeve të Jehovait. Jo më kot Pavli i nxiti efesianët të mos kishin «asgjë të përbashkët» me ata që bënin gjëra të gabuara në sytë e Perëndisë. (Efes. 5:7) Të mos harrojmë se shoqëria jonë nuk janë vetëm ata me të cilët kalojmë kohë personalisht. Përfshin edhe njerëzit me të cilët komunikojmë a shohim në mediat sociale. Prandaj duhet të jemi akoma më të kujdesshëm se efesianët. Anxhela, a që jeton në Azi, e provoi vetë sa të rrezikshme mund të jenë mediat sociale. Ajo pranon: «Kjo mund të jetë një grackë dhe mund të na e turbullojë gjykimin si pa kuptuar. Arrita në pikën që s’më dukej gjë e gabuar të kisha ‘miq’ që nuk i respektonin parimet e Biblës. Avash-avash fillova të mendoja që s’ishte problem të bëja një jetë që nuk i pëlqente Jehovait.» Por sa mirë që disa pleq e ndihmuan me dashuri të bënte ndryshimet e nevojshme. Anxhela thotë: «Tani e mbush mendjen me mendimet e Jehovait, jo me atë që thonë mediat sociale.»
12. Ç’do të na ndihmojë të jetojmë sipas standardeve të Jehovait për të drejtën dhe të gabuarën?
12 Duhet ta luftojmë mentalitetin e botës se sjellja imorale është e pranueshme. E dimë mirë që nuk është aspak kështu. (Efes. 4:19, 20) Gjithsesi duhet të pyesim veten: «A jam i vendosur të shmang shoqërimin e panevojshëm me shokët e punës, shokët e klasës a me të tjerë që nuk i respektojnë standardet e drejta të Jehovait? A u përmbahem me guxim standardeve të Jehovait, edhe pse disa mund të më quajnë jotolerant?» Siç e tregon 2 Timoteut 2:20-22, mund të na duhet të bëjmë kujdes edhe kur zgjedhim miqtë e ngushtë në kongregacion. Të mos harrojmë se disa mund të mos na ndihmojnë të qëndrojmë besnikë në shërbim të Jehovait.
EC ‘SI FËMIJË I DRITËS’
13. Ç’do të thotë ‘të vazhdojmë të ecim si fëmijë të dritës’? (Efesianëve 5:7-9)
13 Pavli i nxiti të krishterët efesianë që jo vetëm të qëndronin larg errësirës, por edhe ‘të vazhdonin të ecnin si fëmijë të dritës’. (Lexo Efesianëve 5:7-9.) Ç’do të thotë kjo? Me dy fjalë do të thotë të sillemi përherë si të krishterë të vërtetë. Një mënyrë për ta arritur këtë synim është t’i studiojmë me kujdes Biblën dhe botimet e bazuara tek ajo. Duhet t’i kushtojmë vëmendje sidomos shembullit dhe mësimeve të Jezu Krishtit, ‘dritës së botës’.—Gjoni 8:12; Prov. 6:23.
14. Si mund të na ndihmojë fryma e shenjtë?
14 Kemi nevojë edhe për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë që të vazhdojmë të sillemi «si fëmijë të dritës». Pse? Sepse është një sfidë e vërtetë të qëndrosh i pastër në këtë botë imorale. (1 Sel. 4:3-5, 7, 8) Fryma e shenjtë mund të na ndihmojë ta luftojmë mentalitetin e botës, ku përfshihen filozofi e pikëpamje që bien ndesh me mënyrën si mendon Perëndia. Veç kësaj, fryma e shenjtë na ndihmon të zhvillojmë ‘çdo lloj mirësie dhe drejtësie’.—Efes. 5:9.
15. Në cilat mënyra mund ta marrim frymën e shenjtë? (Efesianëve 5:19, 20)
15 Një mënyrë si e marrim frymën e shenjtë është duke u lutur për të. Jezui tha se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Frymën e shenjtë e marrim edhe kur e lëvdojmë Jehovain në mbledhje. (Lexo Efesianëve 5:19, 20.) Falë ndikimit të mirë që ushtron te ne fryma e shenjtë, mund të bëjmë një jetë që e kënaq Perëndinë.
16. Çfarë do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura? (Efesianëve 5:10, 17)
16 Kur gjendemi para vendimeve të rëndësishme, duhet të dallojmë «cili është vullneti i Jehovait» e pastaj të veprojmë në harmoni me të. (Lexo Efesianëve 5:10, 17.) Kur përpiqemi të kuptojmë cilat parime të Biblës vlejnë për situatën tonë, po kërkojmë të zbulojmë si mendon Perëndia për atë çështje. E ndërsa i zbatojmë parimet e tij, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime të mençura.
17. Si mund ta shfrytëzojmë kohën me mençuri? (Efesianëve 5:15, 16) (Shihni edhe figurën.)
17 Pavli i këshilloi efesianët edhe që ta shfrytëzonin kohën me mençuri. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) «Të Ligut», armikut tonë Satanait, do t’i pëlqente të jepeshim aq shumë pas aktiviteteve të kësaj bote, sa të mos na mbetej kohë për të adhuruar Perëndinë. (1 Gjon. 5:19) Kështu fare lehtë mund të fillonim t’i vinim të mirat materiale, arsimimin ose karrierën para mundësive për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të ishte një shenjë se po infektohemi nga mënyra si mendon bota. Natyrisht, këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, ama nuk duhet të bëhen kurrë qendra e jetës sonë. Që të ecim «si fëmijë të dritës», duhet ‘ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën’ duke u përqendruar te gjërat që kanë vërtet rëndësi.
18. Çfarë bëri Donaldi për ta shfrytëzuar më mirë kohën?
18 Kërko mundësi për t’i shërbyer më plotësisht Jehovait. Kështu veproi Donaldi, që jeton në Afrikën e Jugut. Ai thotë: «Shqyrtova situatën time dhe iu përgjërova Jehovait të më ndihmonte që të jepja më shumë në shërbim. U luta të gjeja një punë që do të më lejonte t’i kushtoja më tepër kohë predikimit. Me ndihmën e Jehovait, gjeta një punë të përshtatshme. Pas kësaj, unë dhe ime shoqe filluam t’i shërbenim krah për krah Jehovait në kohë të plotë.»
19. Si mund të vazhdojmë të ecim «si fëmijë të dritës»?
19 Letra e Pavlit duhet t’i ketë ndihmuar shumë efesianët që t’i qëndronin besnikë Jehovait. Këto këshilla të frymëzuara mund të na ndihmojnë edhe ne. Siç e pamë, ato mund të na ndihmojnë t’i zgjedhim me mençuri zbavitjen dhe shoqërinë. Mund të na motivojnë të vazhdojmë të ecim në dritën e së vërtetës nëpërmjet një programi të mirë për studimin e Biblës. Gjithashtu nxjerrin në pah sa e rëndësishme është fryma e shenjtë, falë së cilës mund të zhvillojmë cilësi të shkëlqyera. Kur i zbatojmë fjalët e Pavlit, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime të mençura që janë në harmoni me mënyrën si mendon Jehovai. E ndërsa i bëjmë këto, do t’ia dalim të rrimë larg errësirës së kësaj bote dhe të ecim në dritë.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
-
Çfarë janë ‘errësira’ dhe ‘drita’ që përmenden tek Efesianëve 5:8?
-
Si mund të qëndrojmë larg ‘errësirës’?
-
Si mund ‘të vazhdojmë të ecim si fëmijë të dritës’?
KËNGA 95 E vërteta ndrin gjithnjë e më shumë
a Disa emra janë ndryshuar.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një kopje e lashtë e letrës që u shkroi apostulli Pavël efesianëve.
KULLA E ROJËS—BOTIMI PËR STUDIM