ARTIKULLI I STUDIMIT 8

KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë

Vazhdo të ndjekësh drejtimin e Jehovait

Vazhdo të ndjekësh drejtimin e Jehovait

«Unë, Jehovai, jam . . . Ai që të udhëheq.»ISA. 48:17.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ky artikull do të na ndihmojë të shohim si po e udhëheq Jehovai popullin e tij sot dhe çfarë bekimesh gëzojmë kur ndjekim drejtimin e tij.

1. Pse duhet të ndjekim drejtimin e Udhërrëfyesit tonë Jehovait? Ilustrojeni.

 IMAGJINO sikur ke humbur në një pyll të dendur. Kafshët e egra, insektet që mbartin sëmundje, bimët helmuese dhe terreni i thepisur mund të të rrezikojnë jetën. Sa mirënjohës do të ishe sikur të të shoqëronte një udhërrëfyes që e njeh mirë pyllin, i cili mund të të mbajë larg rrezikut. Bota sot është si ky pyll—e mbushur plot me rreziqe që kërcënojnë miqësinë tonë me Perëndinë. Mirëpo ne kemi Udhërrëfyesin e përsosur, Jehovain. Ai na prin duke na larguar nga rreziku dhe na çon në destinacionin tonë—në botën e re ku do të jetojmë përgjithmonë.

2. Si na drejton Jehovai?

2 Si na drejton Jehovai? Kryesisht nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Megjithatë përdor edhe njerëz që janë përfaqësues të tij. Për shembull, Jehovai ka caktuar «skllavin besnik dhe të mençur» për të na siguruar ushqim besimforcues që na ndihmon të marrim vendime të mençura. (Mat. 24:45) Veç kësaj, përdor edhe burra të tjerë të aftë që të na drejtojnë. Për shembull, mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë e kongregacionit na japin inkurajim dhe udhëzime që të përballojmë vështirësitë e jetës. Sa e çmojmë udhëheqjen e besueshme në këto ditë të fundit kritike! Falë saj mund të vazhdojmë të kemi miratimin e Jehovait dhe të ecim në rrugën e jetës.

3. Çfarë do të shohim në këtë artikull?

3 Prapëseprapë, ndonjëherë mund të mos e kemi të lehtë të ndjekim drejtimin e Jehovait, sidomos kur vjen nga njerëzit e papërsosur. Pse? Mbase nuk na pëlqen ajo që thonë. Ose ndoshta mendojmë se udhëzimet që po marrim nuk janë edhe aq të mençura, prandaj dalim në përfundimin se nuk vijnë nga Jehovai. Në raste të tilla, kemi nevojë më shumë se kurrë për besim se Jehovai po e udhëheq popullin e tij dhe se, po të ndjekim drejtimin që na jep, do të kemi veç bekime. Që ta forcojmë besimin, në këtë artikull do të shohim (1) si e drejtonte Jehovai popullin e tij në lashtësi, (2) si po na drejton sot dhe (3) si nxjerrim dobi kur vazhdojmë ta ndjekim drejtimin e tij.

Nga lashtësia deri më sot, Jehovai ka caktuar njerëz si përfaqësues për të drejtuar popullin e tij (Shih paragrafin 3)


SI E DREJTONTE JEHOVAI KOMBIN E IZRAELIT

4-5. Si e tregoi Jehovai se po përdorte Moisiun që t’i printe kombit të Izraelit? (Shih figurën e kopertinës.)

4 Jehovai caktoi Moisiun që të udhëhiqte popullin e Izraelit dhe ta nxirrte nga Egjipti. E u dha prova të dukshme izraelitëve që po i drejtonte nëpërmjet Moisiut. Për shembull, Jehovai u jepte gjatë ditës një shtyllë reje dhe gjatë natës një shtyllë zjarri. (Eks. 13:21) Moisiu ndoqi drejtimin e shtyllës, dhe ajo i çoi atë e popullin drejt Detit të Kuq. Izraelitët i zuri paniku sepse u ndien të zënë në grackë mes detit dhe ushtrisë egjiptiane që u ishte vënë pas. Ata nxorën përfundimin se Moisiu kishte bërë gabim që i drejtoi për në Detin e Kuq. Por nuk ishte aspak ashtu. Nëpërmjet Moisiut, Jehovai e kishte drejtuar qëllimisht popullin e vet atje. (Eks. 14:2) Pastaj, me anë të një mrekullie mbresëlënëse, ai i shpëtoi nga dora e egjiptianëve.—Eks. 14:26-28.

Moisiu mbështetej për drejtim te shtylla e resë që të udhëhiqte popullin e Perëndisë në shkretëtirë (Shih paragrafët 4-5)


5 Për 40 vjet rresht, ndërsa i printe popullit të Perëndisë në shkretëtirë, Moisiu vazhdoi të mbështetej për drejtim te shtylla e resë. a Për njëfarë kohe, Jehovai e vuri shtyllën sipër tendës së Moisiut ku mund ta shihnin të gjithë izraelitët. (Eks. 33:7, 9, 10) Jehovai i fliste Moisiut nga shtylla dhe më pas Moisiu i përcillte popullit udhëzimet e Tij. (Psal. 99:7) Izraelitët kishin plot prova se Jehovai po u printe nëpërmjet Moisiut.

Moisiu dhe pasuesi i tij, Josiu (Shih paragrafët 5, 7)


6. Si reaguan izraelitët ndaj drejtimit të Jehovait? (Numrat 14:2, 10, 11)

6 Mjerisht, shumica e izraelitëve i hodhën poshtë provat e qarta se Jehovai po e përdorte Moisiun si përfaqësuesin e tij. (Lexo Numrat 14:2, 10, 11.) Ata treguan në sa e sa raste se nuk donin ta pranonin rolin e Moisiut. Si pasojë, Jehovai nuk e lejoi atë brez izraelitësh të hynte në Tokën e Premtuar.—Num. 14:30.

7. Tregoni disa shembuj të atyre që ndoqën drejtimin e Jehovait. (Numrat 14:24) (Shihni edhe figurën.)

7 Megjithatë, disa izraelitë e ndoqën drejtimin e Jehovait. Për shembull, Jehovai tha: ‘Kalebi m’u bind me gjithë zemër.’ (Lexo Numrat 14:24.) Perëndia e shpërbleu Kalebin, e madje i dha si trashëgimi atë vend që kishte zgjedhur në Kanan. (Jos. 14:12-14) Edhe brezi pasues i izraelitëve la një shembull të mirë duke ndjekur drejtimin e Jehovait. Kur Josiu u caktua prijës i kombit pas Moisiut, izraelitët «e respektuan thellësisht gjatë gjithë jetës së tij». (Jos. 4:14) Si rezultat, Jehovai i bekoi duke u dhënë si trashëgimi vendin që u kishte premtuar.—Jos. 21:43, 44.

8. Shpjegoni si e udhëhoqi Jehovai popullin e tij gjatë kohës së mbretërve. (Shihni edhe figurën.)

8 Vite më vonë, Jehovai emëroi gjykatës që të udhëhiqnin popullin e tij. Më pas, në kohën e mbretërve, caktoi profetë që t’i drejtonin izraelitët. Mbretër besnikë u vunë veshin këshillave të profetëve. Për shembull, mbreti David e pranoi me përulësi ndreqjen nga profeti Natan. (2 Sam. 12:7, 13; 1 Kron. 17:3, 4) Mbreti Jehozafat u mbështet për drejtim te profeti Jahaziel dhe e nxiti popullin e Judës ‘të kishte besim te profetët e Perëndisë’. (2 Kron. 20:14, 15, 20) Kur ishte në ankth, mbreti Hezekia i kërkoi ndihmë profetit Isaia. (Isa. 37:1-6) Sa herë që ndiqnin drejtimin e Jehovait, mbretërit gëzonin bekime dhe populli ishte i mbrojtur. (2 Kron. 20:29, 30; 32:22) Duhej të kishte qenë e qartë se Jehovai po përdorte profetët e tij për ta udhëhequr popullin. Mirëpo shumica e mbretërve, e po ashtu edhe e izraelitëve, i hodhën poshtë profetët e Jehovait.—Jer. 35:12-15.

Mbreti Hezekia dhe profeti Isaia (Shih paragrafin 8)


SI I DREJTONTE JEHOVAI TË KRISHTERËT E HERSHËM

9. Kë caktoi Jehovai që t’u jepte drejtim të krishterëve të hershëm? (Shihni edhe figurën.)

9 Në shekullin e parë të e.s., Jehovai themeloi kongregacionin e krishterë. Si u jepte drejtim të krishterëve të hershëm? Caktoi Jezuin si kreun e kongregacionit. (Efes. 5:23) Por Jezui nuk i jepte drejtim çdo dishepulli individualisht. Ai caktoi apostujt dhe pleqtë në Jerusalem që të merrnin drejtimin. (Vep. 15:1, 2) Veç kësaj, u emëruan edhe pleq të tjerë që t’u jepnin drejtim kongregacioneve.—1 Sel. 5:12; Tit. 1:5.

Apostujt dhe pleqtë në Jerusalem (Shih paragrafin 9)


10. (a) Si reaguan shumica e të krishterëve në shekullin e parë ndaj drejtimit që merrnin? (Veprat 15:30, 31) (b) Pse disa adhurues në lashtësi nuk e respektuan rolin e përfaqësuesve të Jehovait? (Shih kutinë « Pse disa i kanë hedhur poshtë provat e qarta».)

10 Si reaguan të krishterët e shekullit të parë ndaj drejtimit që merrnin? Shumica i pranuan dhe i zbatuan me kënaqësi udhëzimet që morën. Në fakt, «ata gëzuan për inkurajimin». (Lexo Veprat 15:30, 31.) Po në kohën tonë, si e ka udhëhequr Jehovai popullin e tij?

SI NA DREJTON JEHOVAI SOT?

11. Jepni një shembull që tregon si i ka udhëhequr Jehovai ata që kanë marrë drejtimin në kohët tona.

11 Jehovai vazhdon t’i udhëheqë shërbëtorët e tij sot. Këtë e bën me anë të Biblës dhe Birit të tij, kreut të kongregacionit. A dallojmë prova se Jehovai po vazhdon të përdorë edhe përfaqësues në tokë? Po. Të shohim, për shembull, disa ngjarje që ndodhën pas vitit 1870. Çarls Tejz Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të kuptonin se 1914-a do të ishte një vit vendimtar për Mbretërinë e Perëndisë. (Dan. 4:25, 26) Këtë përfundim e arritën ngaqë analizuan profecitë e Biblës. A po i drejtonte Jehovai ndërsa studionin thellë Shkrimet? Absolutisht që po. Në vitin 1914, ngjarjet botërore treguan se Mbretëria e Perëndisë kishte nisur të qeveriste. Shpërtheu Lufta I Botërore, e cila u pasua nga sëmundje, tërmete dhe mungesa ushqimi. (Luka 21:10, 11) S’kishte pikë dyshimi se Jehovai po i përdorte ata të krishterë me zemër të sinqertë që të ndihmonin popullin e tij.

12-13. Çfarë masash morën vëllezërit përgjegjës gjatë Luftës II Botërore që të zgjeronin veprën e predikimit dhe të mësimdhënies?

12 Të mendojmë edhe për atë që ndodhi gjatë Luftës II Botërore. Pasi studiuan me kujdes Zbulesën 17:8, vëllezërit përgjegjës në selinë botërore kuptuan se pas luftës nuk do të vinte menjëherë Armagedoni. Përkundrazi, do të vinte një periudhë ku do të kishte njëfarë paqeje, e cila do të hapte dyer të reja për t’u predikuar më shumë njerëzve. Organizata themeloi Kolegjin Biblik Watchtower të Galadit b që të stërviste misionarë të predikonin dhe të mësonin në çdo cep të tokës, ndonëse në atë kohë diçka e tillë mund të jetë dukur e paarsyeshme. Madje në disa vende u dërguan misionarë edhe gjatë luftës. Veç kësaj, skllavi besnik hapi Kursin e Shërbimit Teokratik c për të stërvitur të gjithë lajmëtarët në kongregacione, që të bëheshin predikues dhe mësues më të mirë. Kështu, Perëndia po i përgatiste shërbëtorët e tij për veprën që i priste.

13 Kur kthejmë kokën pas, mund të shohim qartë se Jehovai po i printe popullit të tij gjatë asaj periudhe të vështirë të historisë. Që nga Lufta II Botërore, shërbëtorët e Jehovait në shumë vende kanë gëzuar njëfarë paqeje dhe lirie për të predikuar lajmin e mirë. E vepra e predikimit ka lulëzuar vërtet.

14. Pse mund t’i besojmë drejtimit që na jep Jehovai nëpërmjet organizatës dhe pleqve? (Zbulesa 2:1) (Shihni edhe figurën.)

14 Sot anëtarët e Trupit Udhëheqës vazhdojnë t’i mbajnë sytë nga Krishti për drejtim. Ata duan që udhëzimet që u japin vëllezërve dhe motrave për çështje të ndryshme të pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait dhe të Jezuit. Këto udhëzime ua përcjellin kongregacioneve me anë të mbikëqyrësve qarkorë dhe pleqve. d Pleqtë e mirosur, e madje edhe gjithë pleqtë e tjerë, janë «në dorën e djathtë» të Krishtit. (Lexo Zbulesën 2:1.) Natyrisht, pleqtë janë të papërsosur dhe bëjnë gabime. Edhe Moisiu, Josiu dhe apostujt gabuan në disa raste. (Num. 20:12; Jos. 9:14, 15; Rom. 3:23) Prapëseprapë, Krishti i drejton me kujdes skllavin besnik dhe pleqtë e do të vazhdojë ta bëjë këtë «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mat. 28:20) Prandaj kemi arsye të forta për t’i besuar drejtimit që na jep nëpërmjet vëllezërve që ka emëruar.

Trupi Udhëheqës sot (Shih paragrafin 14)


DOBITË QË VIJNË KUR NDJEKIM VAZHDIMISHT DREJTIMIN E JEHOVAIT

15-16. Çfarë mëson nga shembulli i vëllezërve dhe motrave që kanë ndjekur drejtimin e Jehovait?

15 Kur vazhdojmë të ndjekim drejtimin e Jehovait, shijojmë bekime që sot. Për shembull, Andi dhe Roza e i vunë veshin nxitjes nga organizata që të mbanin një jetë të thjeshtë. (Mat. 6:22.) Si rezultat, patën mundësi të shërbenin si vullnetarë në projekte teokratike ndërtimi. Roza thotë: «Kemi jetuar në apartamente tepër të vogla, shpesh pa kuzhinë. Kisha hobi fotografinë, por m’u desh të shisja shumë nga pajisjet që përdorja për të bërë foto. M’u mbushën sytë me lot kur i shita. Mirëpo, ashtu si gruaja e Abrahamit, Sara, isha e vendosur të shihja përpara, pa e kthyer kokën pas.» (Hebr. 11:15) Ç’të mira i solli çiftit kjo eksperiencë? Roza shprehet: «Na gufon zemra nga lumturia ndërsa i japim Jehovait gjithçka kemi. Kur punojmë në caktime teokratike, shijojmë pakëz nga jeta në botën e re.» Andi shton: «Ndihemi të gëzuar sepse po japim pa u kursyer për të përkrahur Mbretërinë.»

16 Ç’dobi tjetër nxjerrim kur vazhdojmë të ndjekim drejtimin e Jehovait? Pasi mbaroi gjimnazin, Marsia donte shumë të zbatonte sugjerimin që të fillonte shërbimin si pioniere. (Mat. 6:33; Rom. 12:11) Ajo thotë: «Më ofruan një bursë 4-vjeçare në një universitet. Por unë kisha vënë disa synime teokratike. Prandaj zgjodha të bëja një shkollë profesionale, për të mësuar një zanat që do të më ndihmonte të shërbeja si pioniere. Ishte një nga vendimet më të mençura që kam marrë në jetë. Tani kënaqem shumë me shërbimin si pioniere e rregullt dhe, ngaqë kam një orar pune elastik, mund të shërbej si vullnetare e jashtme në Bethel e të shijoj privilegje të tjera të veçanta.»

17. Çfarë bekimesh të tjera shijojmë kur vazhdojmë t’i bindemi drejtimit të Jehovait? (Isaia 48:17, 18)

17 Ndonjëherë marrim këshilla që na mbrojnë nga gjëra si materializmi dhe aktivitete që mund të na shtyjnë të shkelim ligjet e Perëndisë. Kur ndjekim drejtimin e Jehovait edhe në këto fusha të jetës, gëzojmë bekime. Mbajmë një ndërgjegje të pastër dhe i kursejmë vetes stres të panevojshëm. (1 Tim. 6:9, 10) Si rezultat, mund ta adhurojmë me gjithë zemër Jehovain. Asgjë tjetër s’na sjell paqe dhe gëzim më të madh!—Lexo Isainë 48:17, 18.

18. Pse je i vendosur ta ndjekësh gjithmonë drejtimin e Jehovait?

18 Pa diskutim, Jehovai do të vazhdojë të përdorë njerëz në tokë si përfaqësuesit e tij, që të sigurojnë drejtim në shtrëngimin e madh dhe gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar. (Psal. 45:16) A do të vazhdojmë t’i bindemi drejtimit, edhe nëse do të na duhet të heqim dorë nga preferencat tona? Shumë do të varet nga mënyra si reagojmë sot ndaj drejtimit që siguron Jehovai. Prandaj, le ta ndjekim gjithmonë drejtimin e Jehovait, e këtu përfshihet edhe drejtimi që na jep nëpërmjet burrave që ka caktuar të kujdesen për ne. (Isa. 32:1, 2; Hebr. 13:17) Mund ta ndjekim me besim të plotë Udhërrëfyesin tonë, Jehovain, sepse ai na mbron nga gjërat që na kërcënojnë miqësinë me të dhe na prin drejt destinacionit tonë—botës së re ku do të jetojmë përgjithmonë.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si e drejtonte Jehovai kombin e Izraelit?

  • Si i drejtonte Jehovai të krishterët e hershëm?

  • Si nxjerrim dobi kur ndjekim drejtimin e Jehovait sot?

KËNGA 48 Çdo ditë do të eci me ty, Jehova

a Jehovai caktoi edhe një engjëll «që shkonte përpara kampit të izraelitëve» dhe e udhëhiqte kombin drejt Tokës së Premtuar. Ai engjëll ishte Mikaeli—domethënë Jezui para se të vinte në tokë.—Eks. 14:19; 32:34.

b Më vonë u quajt Shkolla Watchtower e Galadit.

c Më vonë u quajt Shkolla e Shërbimit Teokratik. Sot këtë stërvitje e marrim në mbledhjen e mesjavës.

d Shih kutinë «Roli i Trupit Udhëheqës» në Kullën e Rojës të shkurtit 2021, f. 18.

e Disa emra janë ndryshuar.